Moduli 1 - EDUKIMI MEDIATIK

“Edukimi Mediatik” është kursi i parë i një serie prej tre kursesh online që do të publikohen së shpejti në platformën “Sheshit”. Ky kurs mund të plotësohet online në mënyrë individuale, në çdo kohë dhe synon të pajisë qytetarët dhe gazetarët me një set aftësish dhe dijesh praktike rreth mënyrës si konsumohet produkti mediatik.

ÇFARË TRAJTOHET NË KURS:

shigjeta

Një vështrim i detajuar mbi modelet ekonomike të funksionimit të medias i pasuruar me një analizë historike të modeleve mediatike në Shqipëri – nga shtypi i regjimit komunist, gazetat print të pas viteve 90’, televizionet dhe mediat digjitale. Kjo njësi e parë e modulit trajton ndikimin e pronësisë së medias mbi politikat editoriale dhe pavarësinë e redaksive.

 

Autor: Gjergj Erebara, gazetar i BIRN Albania, bashkautor i “Media Ownership Monitor” – një projekt kërkimor i BIRN Albania dhe organizatës Reporterët pa Kufij.

shigjeta

Shkeljet etike dhe ligjore si forma indirekte të korrupsionit në median shqiptare – Format ligjore dhe antiligjore të financimit të medias. Cili është kufiri midis lajmit, reklamës dhe marrëdhënies me publikun – disa modele të reklamave të fshehta në televizione.

 

Autor: Elvin Luku, gazetar me përvojë 15-vjeçare dhe drejtues i qendrës “Media Look”

shigjeta

Shtatë aftësi specifike që ndihmojnë audiencën të analizojë lajmin që konsumon. Cilat janë tipologjitë e përmbajtjes mediatike, e si mund të bëhemi më të edukuar mediatikisht rreth lajmit? Këto janë disa nga pyetjet që marrin përgjigje në këtë njësi të modulit.

 

Autor: Erlis Çela – Mban titullin Dr. në Shkencat e Komunikimit. Aktualisht drejton Departamentin e Gazetarisë në Universitetin Beder.

shigjeta

Si të dallojmë lajmin e vërtetë nga ai i rremë? Cilat janë mekanizmat e kontrollit të lajmeve dhe si mund të mbrohemi nga konsumi i informacionit të rremë? Si të verifikojmë faktet, të kontrollojmë nëse një imazh është autentik apo i manipuluar?

 

Autore: Viola Keta – Me një eksperiencë në gazetari që prej vitit 1999, Keta është aktualisht kryeredaktore e medias “Faktoje” e specializuar në verifikimin e fakteve.

shigjeta

Kur e shkel media Kodin e Etikës? Një shpjegim teorik i koncepteve si: diskriminimi, stereotipet, paragjykimet dhe gjuha e urrejtjes. Çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar dhe raportuar gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën diskriminuese në media?

 

Autore: Valbona Sulçe – Gazetare, studiuese e medias dhe trajnere në fushën e medias. Sulçe ka nisur karrierën në gazetari që prej vitit 1998 dhe është e angazhuar në çështje të barazisë gjinore dhe feminizmit.

Pas plotësimit të moduleve, kursit dhe ushtrimeve praktike, çdo pjesëmarrës do të pajiset me një certifikatë nga Citizens Channel për përfundimin me sukses të modulit “Edukimi Mediatik”