VERIFIKIMI I FAKTEVE

Çfarë është lajmi i vërtetë dhe ai i rremë?

Gazetarët dhe sistemi i medias, në të gjithë globin prej kohësh janë në luftë me informacionet e pavërteta. Ato po bëhen gjithnjë e më imponuese dhe joshëse, me zhvillimin e teknologjisë së informacionit, përhapjen në masë të rrjeteve sociale dhe mjeteve elektronike smart.

 

Por aq sa të nevojshme dhe interesante, këto mjete me anë të të cilave shpërndarja e çdo lloj informacioni është vetëm një ‘klik" larg, po kthehen në kërcënim ndaj informimit të shëndetshëm.

Lajmi i vërtetë, ai i bazuar në fakte dhe i publikuar pas verifikimit në disa burime, po humbet terren ndaj atij të pavërtetë, ose ‘fake news’ siç njihet globalisht. Lajmi i rremë (fake news) përgjithësisht i bazuar mbi trillime apo thashetheme, ka për qëllim t’i bindë njerëzit të besojnë një informacion të rremë në mënyrë që të blejnë apo përdorin një produkt të caktuar ose për të vizituar një website të caktuar. Shumë klikime, sot përkthehen në përfitime!

 

Lajm i rremë mund të jetë edhe një informacion që mund të ketë disa elementë të vërtetë, por për shkak të ‘censurimit’ apo shtrembërimit mund të ndryshojë tërësisht perceptimin dhe të krijojë një këndvështrim fals tek audienca. Përshembull publikimi i pjesshëm i ligjëratës së një politikani apo shtrembërimi i saj, mund të krijojë një situatë të tillë.

Si t’i dallojmë informacionet e vërteta nga ato të rreme?

Zbulimi i të vërtetës merr gjithmonë kohë, kjo është arsyeja pse shpesh lajmet e rreme shpërndahen më shpejt duke shkaktuar dëm përmes dezinformimit të publikut. Ndaj ia vlen që jo vetëm gazetarët (që e kanë detyrim), por edhe çdo konsumues i informacionit, të shpenzojë pak kohë për të dalluar nëse një lajm apo informacion është i vërtetë apo i rremë, përpara se ta bëjë ‘share’.

 

Një nga arsyet përse ‘fake news’ është kaq i pranishëm dhe kaq joshës në jetën tonë të përditshme, është sepse ai në pamje të parë duket i besueshëm. Ndaj shumë prej nesh mund të peshkohen sa hap e mbyll sytë. Shpesh ‘fake news- et" shkruhen për të ngjallur një reagim të caktuar emocional, pozitiv (gëzim) apo negativ (inat) qoftë ai.

Cilat janë mekanizmat e kontrollit të lajmeve dhe si të mbrohemi nga konsumi i lajmeve të rreme?

1. Zhvillo të menduarit kritik
Kjo nënkupton vetëpërmbajtjen në momentin e parë që lexon një lajm apo informacion, që të ngjall një emocion të caktuar. Mos bjer pre e emocionit, por mendo dhe pyet veten përpara se ta shpërndash: A është i vërtetë? Përse është shkruar? A ka si qëllim që të rrisë klikimet për një website të caktuar?
2. Kontrollo burimet?
Nëse vë re se historia që po lexon vjen nga një burim për të cilin nuk ke dëgjuar më parë, bëj disa kërkime. Kontrollo burimet zyrtare dhe verifiko nëse informacioni në fjalë është i konfirmuar. Kujto! Edhe nëse ky informacion të ka ardhur nga një shoqe/shok i ngushtë apo i afërm tek i cili ke besim, kjo s’do të thotë se ai/ajo ka bërë kërkime më parë për vërtetësinë e informacionit. *E mbani mend sa metoda ‘bëje vetë’ qarkulluan nëpër rrjetet sociale për t’u shëruar nga Covidi, kur autoritetet ende po hetonin për prejardhjen dhe mënyrën e kurimit të tij? Faktoje peshkoi me dhjetëra të tilla nëpër rrjetet sociale. Kliko këtu për t’i parë
3. Konfirmo nëse i njëjti informacion është publikuar edhe nga të tjerë.
Kush tjetër e ka raportuar informacionin që po lexon? Çfarë thonë burimet e tjera për të? Mediat profesionale tradicionale dhe ato faktverifikuese, i përmbahen një kodi etike dhe metodologjie verifikimi që shmang mundësitë për publikimin e informacioneve të rreme. Por të gjithë mund të gabojnë, ndaj tregohu vigjilent!
4. Vëzhgo me kujdes faktet dhe të dhënat
Nuk është e vështirë të dallosh një lajm të vërtetë, pasi nëse është i tillë, me siguri që i referohet burimeve me shifra dhe të dhëna zyrtare e të konfirmuara, ekspertëve të fushës për të cilën bën fjalë lajmi apo dëshmive e provave nga terreni. Nëse këto elementë mungojnë, dysho!
5. Fotot dhe videot që qarkullojnë mund të jenë të rreme, mos i merr të mirëqena pa i verfifikuar.
Përparimi i teknologjisë ka bërë më të lehtë jo vetëm përhapjen e ‘fake news’-eve, por edhe të fotove apo videove të rreme. Është vënë re një tendencë më e lartë në klikimin dhe shpërndarjen e fotove dhe videove, sesa të lajmeve të shkruara. Kjo, sepse informacioni viziv shkakton një reagim më të shpejtë emocional sesa ai i shkruar. Jo të gjithë jemi në gjendje të dallojmë me sy të lirë nëse një foto apo video është e rreme ose jo, ndonëse ato që të shkaktojnë si impakt të parë emocione të forta, duhet të merren me rezerva. Jini të vendosur për të verifikuar vërtetësinë e tyre! Mjafton të shihni pak më hije apo element të dyshimt , e nëse edhe vëzhgimi ju lë në balt , përdorni disa teknika të thjeshta për t’i “çjerrë masken ” fotove dhe videove të manipuluara.
6. Kujdes me ndjesinë “Ngjan si i vërtetë”
Mbani parasysh se lajmet e rreme krijohen për të ushqyer mashtrimin, shpresat apo frikën tek audienca. Pavarësisht ndjesive apo parandjenjave mos u besoni atyre pa e verifikuar informacionin. Një ilustrim i thjeshtë? Fakti se shoqja juaj e shkollës apo e punës beson se dy kolegë kanë një lidhje të fshehtë me njëri-tjetrin, nuk do të thotë se kjo është e vërtetë
Previous
Next

This quiz is for logged in users only.