KORRUPSIONI INDIREKT NE MEDIA

Totali i mediave që operojnë në Shqipëri është 931 media ose 1 media për 3200 banorë. Pjesa dërrmuese e tyre ofron një përmbajtje raportimi gjeneralist, me disa përjashtime.

CILAT JANË FORMAT E FINANCIMIT TË MEDIAVE SHQIPTARE?

Forma më e zakonshme dhe ligjore e financimit të mediave në Shqipëri është përmes reklamave në të gjitha format e saj: Sponsorizim, hapësire publicitare, promo, vendosje produkti, mesazh promocional, logo etj., Këto reklama vendosen përgjatë gjithë ditës sipas programacionit, me përjashtim të hapësirës dedikuar edicionit informativ. Sipas revistës Monitor buxheti vjetor i reklamave për mediat arrin nga 38-40 milion euro, nga të cilat rreth 50% ose 20 mln euro shkon shkojnë për tre media me licence kombetare, TV Klan, Top Channel e Vizion Plus ndërkohë që gjysma tjetër mbulon gjithë pjesën e mbetur të tregut.

 

Por, a janë reklamat i vetmi burim financimi i mediave shqiptare? 

Studimet dhe sondazhet në Shqipëri, kryesisht nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, BIRN Albania, MediaLook, etj., tregojnë se krahas burimeve të ligjshme rezultojnë dhe forma joligjore e jo etike që praktikohen nga mediat për të gjeneruar të ardhura financiare.

 

Një rol të rëndësishëm në këtë mes zënë dhe interesat e ndryshme politiko-ekonomike të pronarëve që zotërojnë mediat, të cilët përfitojnë tenderë dhe para publike në bizneset e tjera që ato kanë, e që ndikojnë në orientimin e linjës editoriale të televizioneve.

RASTE SHKELJESH LIGJORE DHE ETIKE SI FORMA INDIREKTE TË KORRUPSIONIT NË MEDIAN SHQIPTARE

a. Kronikat reklamë

Pavarësisht se ndalohen nga ligji nr.97/2013 “Për Mediat Audiovizive” televizionet shqiptare vijojnë transmetimin e kronikave reklamë brenda edicioneve informative. Bëhet fjalë për lajme me natyrë tregtare, “që favorizojnë shoqëri të veçanta tregtare ose subjekte të lidhura direkt apo indirekt me ortakët apo aksionarët e shoqërive audiovizive”. MediaLook, ka monitoruar 276 edicionet qendrore informative në tre televizionet kombëtare TV Klan, Vizion Plus e Top Channel, gjatë periudhës 1 Tetor – 31 Dhjetor 2018, duke evidentuar një total prej 51 kronika reklamë.

 

Koha totale kushtuar këtyre lajmeve për periudhën e monitoruar është 35.59 minuta në Vizion Plus e ndjekur nga 35.19 minuta në TV Klan dhe një kohë transmetimi afro 13 minuta në Top Channel.

Hulumtimit zbuloi dy tipologji raportimesh kronika reklamë:

E para, kronika që raportojnë në favor të bizneseve të caktuara në sektorë të ndryshëm ekonomikë, pjesë e të njëjtit grup aksionarësh të televizioneve kombëtare.

Së dyti, raportime në favor të bizneseve kundrejt apo jo interesave ekonomikë, por pa lidhje të drejtpërdrejt apo indirekte mes pronarëve të tyre.

Kronika të ngjashme vijojnë dhe trasmetohen nga televizionet Shqiptare dhe janë të pakta rastet kur AMA merr masa ndëshkuese ndaj operatorëve.

Informohu më shumë duke klikuar në: Ndikimi i interesave ekonomikë të pronarëve të mediave vizive në raprotimin e lajmit  

b. Raportim gazetaresk apo marrëdhenie publike

Zyrat e PR-it të institucioneve publike kanë si qëllim parësor dhe legjitim të tyre pasqyrimin sa më të gjerë të aktiviteteve të tyre në media. Për këtë arsye ato kanë ngritur sektorë dhe drejtori përkatëse në filmimin, fotografimin dhe komunikimin e tyre në media. Deri në këtë pikë nuk ka asnjë shkelje ligjore apo etike në raportin mes institucionit dhe medias.

 

Problemi fillon në redaksitë e lajmeve në televizion, portale apo gazeta të cilat i marrin këto materiale dhe i pasqyrojnë ato sikurse janë pa ndryshime ose me ndryshime fare të vogla kryesisht në titujt e tyre. Këto lloj lajmesh, ku materialet vijnë të gatshme dhe transmetohen sikurse janë, pra ku lajmi diktohet nga zyra e PR-it përbën fenomenin e “churnalism” në gazetari.

c. Të fshehësh duke treguar

Një nga teknikat më efektive manipuluese në televizion është të flasësh për ngjarjen duke e treguar atë, por pa i thënë të vertetat rreth saj. Kjo taktikë njihet në komunikimi si “fshehje duke treguar” dhe bëhet akoma më e fuqishme kur përdoret elementi video. Pse video? Sepse audienca vizive, - sikurse pohon Sartori është “rob” i imazhit dhe ka tendencën të besojë më shumë atë që sheh me sy, sidomos kur ky shikim bëhet jo me sytë e mendjes, sikurse ndodh me një pjesë më të kultivuar e audiencës.

 

Jemi ndalur në kronikën e mëposhtme të transmetuar në një televizion kombëtar, për të ilustruar këtë fenomen. Gazetarja shfaqet në Stand up përkrah murit me gropa të Teatrit Kombëtar dhe për të përforcuar idenë e degradimit të godinës nis raportimin e saj me këtë fjali: "Hapja e rrugës për në hyrjen e ndërtesës së Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar një anë të errët të ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Kjo ka zbuluar muret në gjendje të degraduar dhe ndërtuar me material lehtësisht të thërrmueshme".

d. Blerja e kohës televizive në programet talk show

Ka një debat të hershëm mbi raportin mes një produksioni komercial dhe atij cilësor si dhe presionin e vazhdueshëm të reklamuesve mbi autorët e emisioneve talk show ose debatet televizive, të cilat kanë një shikueshmëri dhe impakt të madh te shikuesit e tyre. Kjo trysni vjen në formë të rregullt përmes reklamave dhe formave të tjera të marketingut dhe këtu nuk ka asnjë problem ligjor, por, ka edhe raste të “blerjes së hapësirave dhe minutazheve të caktuara gjatë emisionit”, pa dijeninë e publikut.

This quiz is for logged in users only.