AKTIVIZMI KREATIV

Sa herë jeni gjendur përpara faktit që megjithëse ju artikuloni në mënyrë të drejtë një shqetësim apo çështje, e cila mund të jetë e përbashkët me bashkëqytetarët e tjerë apo anëtarët tuaj të komunitetit, por askush nuk e përcjell shqetësimin apo çështjen tuaj? Askush nuk është i gatshëm të kontribuojë për çështjen edhe pse zgjidhja e saj ndikon tek ata, apo minimalisht qytetarët apo anëtarët tuaj të komunitetit nuk ju kushtojnë vëmendje.

 

Në këtë komunikim me ju do doja të sillja strategjinë e Qëndresës Qytetare, një ekip të rinjsh që ia ka dalë të japë një kontribut efikas për të mbajtur çështjen e arsimit në vend në fokus të opinionit publik (studentëve, qytetarëve dhe medias) si dhe të adresojë deri në zgjidhje një seri çështjesh.

 

Nëse jeni një aktivist, është me rëndësi të kuptoni se artikulimi i drejtë i çështjes që ngrini është shumë i rëndësishëm, por nuk është një garanci për të
angazhuar publikun, për të ndryshuar perspektivën, diskursin, sjelljen, politikën apo zgjidhjen përfundimtare të problemit për të pasur sa më shume efektivitet.

Nga përvoja me ekipin e Qëndresës unë do të këshilloja:

“Aktivizmin Kreativ” dhe “Qasjen Institucionale” si dy drejtimet që na garantojnë zgjidhje dhe sukses në aktivizëm.

AKTIVIZMI KREATIV

Në një shoqëri te përgjumur është shumë e rëndësishme të zgjedhësh formën e duhur për ti zgjuar qytetarët dhe në varësi të saj ti mund të marrësh mbrapsh angazhimin dhe mbështetjen e tyre ose jo. Adaptimi me format e reja të komunikimit është jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm. Nëse dekada më parë format më efikase se si aktivistët fitonin vëmendjen e qytetareve ishin: thirrje oratorike në shesh, leximi i një gazete, shpërndarja e një broshure në rruge, dërgimi i një emali; sot nuk janë më efektive.

 

Sipas ‘Eksperimentit të Kopenhagenit’ 2018, tashmë u soll në mënyrë studimore ajo çka qëndronte vetëm në aspektin teorik apo besimit se miksimi i artit me aktivizmin ishte produktiv. Ata zbuluan se një qasje kreative ne aktivizëm ishte më efektive sesa mjetet tradicionale në arritjen e objektivave te advokimit, ndërgjegjësimit apo angazhimit të qytetarëve me kauzat e aktivistëve.

 

Aktivizmi kreativ u dëshmua gjithashtu se ishte një eksperience më e paharrueshme duke i mundësuar aktivistët ti mbanin më gjatë qytetarët të lidhur dhe angazhuar me çështjen. Me kushtet e reja në të cilën shoqëritë sot po përballen për shkak te pandemisë Covid-19, aksionet kreative janë më shumë të nevojshme pasi fuqia e mesazhit të tyre mund të mundë rregullat që kufizojnë pjesëmarrjen, duke ja dalë të rritësh ndjeshmërinë pa nevojën e numrave ne shesh.

Nëpërmjet tre shembujve të aksioneve kreative të Qëndresës Qytetare:

ne kuptojmë se “aktivizmi kreativ” është një proces kompleks, i cili merr jetë duke marrë parasysh një seri faktorësh dhe sugjerimesh. Për ti kuptuar këto procese ne do ti shoqërojmë me shembuj konkretë se si aksionet e mësipërme janë ndërtuar.

1. ANALIZA E SHEMBUJVE

Nëpërmjet rrjeteve sociale, sot ne kemi mundësi të vihemi në kontakt me aksione të ndryshme që aktivistë kudo nëpër botë realizojnë. Një mundësi është Actipedia, enciklopedi e aksionit kreativ. Ju mund të kryeni një studim rasti dhe se si mundet që përvoja e tyre të integrohet në aksionin tuaj. Por kujdes, nuk do të funksionojë nëse kopjoni.

2. KONTEKSTI

Konteksti ka shumë rëndësi pasi aksioni kreativ mund të shndërrohet në një instrument tejet efektiv nëse ju përshtatni aksionin tuaj duke përdorur elemente, të cilat vijnë si rezultat i njohjes shumë të mirë të audiencës, kulturës së grupit që po i drejtoheni, historive që ata tregojnë, moralin, demografinë, memorien kolektive, datat e shënuara, arti, kultura apo muzika e tyre.

 

Konkretisht “Universiteti Shkencave të Korrupsionit” u ekzekutua në 24 janar, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit që i jepte kontekst aksionit.

 

Për Logo u përdor një imazh i ngjashëm me atë të UT-së, për të shfrytëzuar memorien kolektive.

 

Për slogane u përdorën historitë që njerëzit flasin nëpër kafene për arsimin si për shembull:

“një diplomë në xhep duhet” apo “diplome tak-fak”. U përdor sarkazma, një zhanër që në shoqëri, në publik pëlqehet.

3. PUNONI NËN RADARË

Është shumë e rëndësishme që ju të realizoni aksionin tuaj pa cenuar integritetin e saj apo të zbatuesve të saj. Një aksion, i cili nuk respekton rregullat shoqërore apo kuadret ligjore mund të jetë me kosto. Shumë aktivistë shohim të arrestohen para se të flasin me publikun apo të përmbushin misionin e tyre të edukimit të qytetarëve për t’u bërë më pas edhe ata ndjekës të kauzës.

 

Vendi sapo kishte dale nga karantina, masat shtetërore për mbrojtjen e popullatës nga infektimi me Covid-19 ndalonin çdo grumbullim publik. Aktivistët arrestoheshin dhe gjobat shkonin deri ne 50 mijë euro, por ndërkohë zgjedhjet parlamentare po afronin dhe ekipi i Qëndresës zgjodhi një forme kreative për të bërë aktivizëm dhe komunikuar me qytetarët në pesë qytete duke realizuar misionin, por pa ndeshur me refuzimin apo pengimin nga autoritet.

4. PËRFSHIRJA E AUDIENCËS

Në aksionin tuaj do duhet ti përgjigjeni pyetjes: Si përfshihen qytetarët në aksionin tuaj? A ka diçka që ata mund të bëjnë?

 

Ju duhet të përfshini qytetarët me diçka që ata duan, fizikisht, metaforikisht apo të dyja bashke. Me diçka qe ata e marrin me vete apo diçka që ata e lejnë atje. Duke ju përgjigjur gjithashtu pyetjes: Çfarë ju duhet për ta realizuar atë qe ju kërkoni?

 

Ne kujdesemi që në çdo ngjarje pjesëmarrësit apo kalimtarët të kenë pjesën e tyre të ndërveprimit, në aksionin sarkastik të “Universitetit të Korrupsionit” 200 kalimtarë u pajisen me diploma dhe tituj shkencorë, në kuadër të këtij aksioni kreativ.

5. Elementi Surprizë

Ju do duhet të përpiqeni që brenda aksionin tuaj të ketë më shumë elementë të surprizës, argëtimit apo kuriozitetit për të bërë diferencën mes aksioneve që njerëzit tashmë i shohin shpesh në protesta apo tubime.

Të rinj të veshur si rektorë me një skenë të përgatitur apo 12 heronj me të cilët ju jeni rritur është e vështirë që të mos tërheqin vëmendjen tuaj. Ky është hapi i parë që siguron një komunikim me audiencën tuaj drejt artikulimit të çështjes suaj.

6. Ekipi

Aktivizmi kreativ nuk e ka domosdoshmërish të lidhur impaktin me masivitetin e qytetarëve apo organizatorëve që marrin pjesë në të. Ai mund të ndërtohet edhe nga një aktivist i vetëm, por nëse ju jeni ekipi në realizimin e idesë do duhet që minimalisht të ndaheni në:

- Grupi i Ekzekutimit të Aksionit (personat përgjegjës për realizimin e aksionit)
- Grupi i Dokumentimit (personat të cilët do të fotografojnë apo filmojnë aksionin)
- Grupi Komunikimit (persona përgjegjës për komunikimin me mediat dhe publikun, dhe shpërndarjen e mesazheve)
- Individë Vëzhgues (personat të cilët bëjnë një analizë të zhvillimit të aksionit)

7. Kultivoni dëshirë

Aksionet më të fuqishme janë ato që kultivojnë aktivizëm tek audienca, pra të kesh mundësi të lesh gjurmë tek audienca jote në formë të tillë që ata të ndjekin çështjen pa pasur nevojë që ti nxitesh ata, por veprimet e tyre për të arritur objektivat.

 

Në çdo komunikim ju duhet ti tregoni qytetarëve se si ata mund të bëhen pjesë e ekipit tuaj për të forcuar presionin për zgjidhjen e problemit apo adresimit te tij, por në çdo rast ju duhet ti tregoni edhe se cilat janë hapësirat institucionale apo civile qe ata mund të kontribuojnë të pavarur.

QASJA INSTITUCIONALE

Nëse do të mendoni se vetëm në rrugë, aksione, tryeza apo ngjarje kreative do të mund t’ja dilni do të ishte naive. Ne gjithashtu jemi të fokusuar te qasja institucionale që do të thotë adresimi dhe ndjekja e shkallëve ligjore për arritjen e një qëllimi specifik; komunikimi i vazhdueshëm me institucionin me të cilin je përballë; lidhja e marrëveshjeve të bashkëpunimit me institucionet e pavarura ose jo, që rrisin presionin ndaj institucionit qe ka përgjegjësinë e zgjidhjes se çështjes, deri te përdorimi i sistemit të drejtësisë.

Të përfshirë në çështjen e zgjedhjeve për organet drejtuese në universitetet e vendit ku studentët rrezikonin pjesëmarrjen në këto zgjedhje si pasojë e ndalesave të lëvizjes për shkak të Covid-19, ne patëm mundësinë që jo vetëm të përfshinim një seri institucionesh si Ministria e Arsimit dhe Presidentin e Republikës, por finalizuam betejën tonë për të spostuar datën e zgjedhjeve vetëm atëherë kur për këtë çështje hapëm një proces gjyqësor në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Për të treguar se si ekipi jonë trajton çështjet po jua ilustroj se si Qëndresa Qytetare ndoqi institucionalisht çështjen e “zgjedhjeve për organet drejtuese në universitetet e vendit”, të cilat rrezikonin pjesëmarrjen e studentëve në këto zgjedhje si pasojë e ndalesave të lëvizjes për shkak të Covid-19. Në këtë çështje Qëndresa u përfshi në komunikim të vazhdueshëm me universitetet me anë të ankesave duke fituar betejën për të spostuar datën vetëm atëherë kur nisi një proces në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Njohja mire e hapësirave ligjore dhe procedurave institucionale për të adresuar shqetësimet, kanë qenë çelësi i suksesit për zgjidhjen e dhjetërave problemeve serioze në sistemin tonë arsimor dhe vënia në përdorim me efikasitet të mekanizmave të kërkesave, ankesave, kërkesave për informacion, peticionit, nismave ligjore. 

Nëse ju jeni përpara një situate kur tarifa e pastrimit që i paguani bashkisë nuk përkthehet në shërbim, pra lagjia juaj nuk është e pajisur me kosha mbeturinash, atëherë ju mund të ndiqni hapat e mëposhtëm për të adresuar këtë çështje institucionalisht:

  • Hartoni një kërkesë për informacion drejtuar bashkisë lidhur
    me përdorimin e parave të akumuluara nga taksa që paguani dhe arsyen e mungesën e koshave në lagjen tuaj. Kërkesën e dorëzoni me e-mail ose rrugë postare.

 

  • Nëse Bashkia nuk iu kthen përgjigje brenda 10 ditëve, atëherë ju mund të ankoheni pranë Komisionerit për të Drejtën e informimit duke kërkuar edhe marrjen e masave adminsitrative për refuzimin e këtij informacioni në e-mailin info@idp.al

 

  • Pasi të informoheni mbi destinacionin e të ardhurave të grumbulluara nga taksa dhe arsyet e mos ofrimit të këtij shërbimi në lagjen tuaj, ju mund të ankoheni nëpërmjet një peticioni drejtuar bashkisë për të ofruar shërbimin.

 

  • Flisni me banorët e tjerë të lagjes dhe nënshkruani peticionin së
    bashku duke kërkuar paisjen e lagjes me kosha mbeturinash duke ushtruar presion për taksën që po paguani.

 

  • Peticionin mund ta inicioni dhe në rrugë elektronike nëpërmjet
    platformës www.perqytetin.al

Hyr