Sa herë ju ka rënë rasti të ndeshni në media tituj të tillë:
Në të gjitha këto raste, gazetarët kanë shkelur rregullat e etikës, të cilat përcaktojnë disa parime për respektimin e dinjitetit dhe integritetit të çdo personi.
Çdo profesion ka rregullat e veta. Edhe gazetaria si profesion i përçimit të informacionit nuk bën përjashtim nga kjo. Gazetarët/et janë përgjegjës për raportimin me etikë duke respektuar parimet e shkruara në Kodin e Etikës së gazetarëve. Ky Kod i miratuar së pari më 1998 dhe i rishikuar në vitin 2018 është një tërësi rregullash të pranuara në parim nga komuniteti i gazetarëve për të mbajtur të pastër profesionalizmin dhe për të siguruar mos-diskriminimin e publikut për të cilin shkruajmë.
Kodi i Etikës thotë se gazetari duhet të shmangë me çdo kusht diskriminimin e bazuar mbi racën, seksin, gjuhën, besimin fetar, opinionin politik, të metat fizike, origjinën sociale dhe nacionale.
Megjithatë duke qenë një dokument jodetyrues po thjesht orientues, Kodi nuk arrin të sigurojë në të gjitha rastet mbrojtjen e publikut nga diskriminimi, ose gjuha e urrejtjes.
Problemet etike janë shtuar me lindjen e mediave me bazë internetin, të cila botojnë informacione ku përzihet opinioni me faktin, vendosin epitete të papërshtatshme për kategori të caktuara, si dhe lejojnë komentuesit të përdorin gjuhë urrejtjeje poshtë shkrimeve të caktuara.
Po ku e kanë burimin të gjitha këto shkelje?
Gjuha diskriminuese ushqehet nga stereotipet, të cilat janë konceptime të standardizuara dhe të thjeshtëzuara të grupeve bazuar në disa supozime paraprake.
Termi stereotip (στερεότυπος) vjen nga fjalët greke (stereos), “e ngulitur, solide” dhe (typos), “përshtypje”.Zakonisht ato i veshin karakteristika specifike një grupi të dhënë në mënyrë që ta karakterizojnë në disa aspekte. Stereotipet mund të jenë pozitive, negative ose neutrale. Ato lindin dhe lulëzojnë në kontekste sociale bazike si familja, shkolla dhe media.
Stereotipet kanë disa elementë të përbashkët:
Në komunikimet midis popujve, janë zhvilluar stereotipe të ndryshëm që karakterizojnë një periudhë të caktuar kohore ose një cilësi të dhënë. Psh. kemi stereotipe për kombet: të saktë si zviceranët, gjaknxehtë si egjiptianët (në zhargon evgjitët), etj.
Në Shqipëri kemi stereotipe krahinore: gjirokastritët “dorështrënguar” ose kurnacë , dibranët e mençur, korçarët e pastër, malësorët trima, lalët të butë.
Stereotipi përmban pjesë të së vërtetës, por nuk është e gjitha e vërteta. Kontaktet personale mund të sjellin shembuj të një gjirokastriti që është bujar, një korçari jo dhe aq higjenik, një zvicerani që vjen me vonesë në takim, etj.
Stereotipet u kanë shërbyer njerëzve për të bërë një hyrje të shpejtë në raport me të tjerët. “Ne e shohim botën para se ajo të na shfaqet” thotë gazetari dhe publicist Walter Lippmann në veprën e tij “Opinioni publik”.
Paragjykimi është një supozim/hamendje, një gjykim i keq rreth dikujt paraprakisht ose pa patur dijeni për faktet ose saktësinë. Fjala përdoret më shumë për gjykime të paravendosura dhe besime për një person nisur nga raca, klasa sociale, gjinia, etniciteti, mosha, aftësia fizike, feja, orientimi seksual dhe karakteristika të tjera personale. Stereotipet dhe paragjykimet janë paradhoma të diskriminimit.
Diskriminimi i referohet një sjelljeje të vazhdueshme, bazuar në paragjykime dhe sterotipe: është sjellja aktuale ndaj anëtarëve të një grupi tjetër. Përfshin përjashtimin ose kufizimin e mundësive që janë të hapura për të gjithë për anëtarët e një grupi.
Në grupin e sterotipeve që gjallojnë më shumë në median shqiptare, bien në sy stereotipet gjinore. Ato janë besime të ndërtuara nga shoqëria rreth burrave dhe grave, shpesh, por jo domosdoshmërisht, seksiste dhe negative, të cilat injorojnë kompleksitetin dhe shërbejnë për të justifikuar përjashtimet dhe zgjedhjet.
Këtu është vendi të bëjmë një sqarim për stereotipet që ndajnë role dhe stereotipet në vetvete që kanë të bëjnë me karakteristika. Psh. fakti që gratë mund të jenë më të kujdesshme në drejtimin e automjeteve- gjë që mund të lexohet si ngathtësi, nuk ka të bëjë me rolin e tyre si menaxhere. Ka stereotipe pozitive psh. që gratë janë të buta, të matura, të pjekura. Ka dhe stereotipe që na thonë pjesë të së vërtetës: psh. që gratë janë më të dhëna pas blerjeve në dyqane sesa burrat, kujdesen më shumë për veten, pamjen e jashtme, po këto kanë të bëjnë me karakteristika, jo me role gjinore, të cilat ashtu siç na kanë ardhur nga historia, kanë pabarazi.
Stereotipet kanë dimensionin historik dhe mund të na thonë shumë për statusin e gjërave në një kohë të caktuar psh.: ajo çka media na përcjell nëpërmjet figurës së gruas si shtëpiake dhe kujdestare fëmijësh lidhet me një shoqëri që nuk ekziston më- shoqëria ku bujqësia ishte angazhimi kryesor dhe nënat shtëpiake ishin norma.
Situata ka ndryshuar, shoqëritë janë bërë më industriale, gratë dhe burrat janë aftësuar në profesione të tjera, qytetet kanë marrë rëndësi të dorës së parë e bashkë me to, janë shtuar edhe shërbimet që ofrohen për kujdesin e fëmijëve si çerdhe apo kopshte.
Në kontekstin që po e diskutojmë, është e rëndësishme të vëmë në dukje se stereotipet jo vetëm kontribuojnë në mosndryshimin e gjendjes përsa i takon roleve gjinore të grave dhe burrave, por gjithashtu ato nxisin një vizion asimetrik/jo të barabartë të grave dhe burrave në shoqëri. Për më tepër, ato janë një nga shkaqet më të forta të pabarazisë midis grave dhe burrave në të gjitha sferat dhe në të gjitha fazat e jetës, që ndikojnë zgjedhjen në edukim, profesion dhe jetën personale. Sa herë keni parë në lajmërimet për punë “Kërkohet shitëse” dhe jo “shitës”?
Më keq akoma, stereotipet mund të ndikojnë në dhunën ndaj grave. Duke i paracaktuar gruas një vend të caktuar në shoqëri, brenda disa kufijve patriarkalë, duke i objektifikuar dhe dehumanizuar ato, shoqëria bëhet e pandjeshme për dhunën që ushtrohet ndaj tyre, sepse një objekt që goditet nuk ndjen dhimbje.
Në rastet e mësipërme, krahasimi i trupit të gruas me pjesë makine bën pikërisht këtë, e dehumanizon gruan, e objektifikon atë, duke e bërë më të lehtë trajtimin e saj si një send, objekt, i cili nuk ka të drejta. Ose në rastin e theksimit të pamjes së jashtme nëpërmjet mbiemrave – epiteteve si “bukuroshe” “seksi”, etj.
“Konferencë e jashtëzakonshme, kush është biondja bukuroshe që u shfaq sot krah Berishës”
Në raste të tjera, gratë/vajzat thirren jo me pozicionet e tyre, por duke theksuar faktin se janë gra/vajza. Kjo vërehet në përdorimin e togfjalëshave të tillë si psh : “gratë e politikës”, kur në fakt ato janë politikane. Ose për ministrat përdoren togfjalëshat “gratë e qeverisë” ose “femrat e kabinetit”.
Rastet më flagrante të shkeljes së etikës për raportimin e ngjarjeve me protagoniste gra, kanë të bëjnë me raportimin e dhunës në familje ose trafikimin e personave të rritur, ku rëndom përdoren pa të drejtë fjala “prostitutë”. Duke pasur parasysh kontekstin përkeqësues të kësaj fjale që i referohet një veprimtarie që konsiderohet turp për familjen, sepse është e lidhur me konceptin e nderit, nuk arrijmë të bëjmë dallimin midis dikujt që është detyruar të ushtrojë prostitucion, si e trafikuar. Shprehjet “punonte si prostitutë”, “ushtronte profesionin e saj” nuk janë të vërteta në rastin e trafikimit të qenieve njerëzore. Vajzat dhe gratë e trafikuara shfrytëzohen , detyrohen të punojnë si prostituta dhe nuk “ushtrojnë“ kurrfarë profesioni, pasi nuk e kanë zgjedhur atë. Duhet të jetë e qartë se nuk ka prostituta në trafikim.
Edhe përmendja e personave të mitur të përfshirë në abuzime seksuale, është e ndaluar të publikohet në media, si shkelje e rëndë e etikës.
Personat me aftësi të kufizuar gjithashtu janë ata që preken më së shumti nga shkeljet etike në media. Përdorimi i termave fyes për gjendjen e tyre shëndetësore është një praktikë e dënueshme. Në Shqipëri ka pasur raste kur deri për Presidentin e Republikës, janë përdorur terma fyes për shkak të një paralize të pjesshme që nuk e fshehu. Ose në Kuvend, deputetë të caktuar kanë përdorur gjuhë denigruese për personat me sindromën Dawn, për të cilën kanë kërkuar ndjesë më pas.
Gjuha e urrejtjes nënkupton manifestim të urrejtjes ndaj një grupi të caktuar. Ajo përdoret që të ofendohet një person për shkak të përkatësisë racore, etnike, fetare ose një grup tjetër të cilit i takon ai person. Gjuha e tillë në përgjithësi tenton ta gjykojë ose ta degjenerojë individin ose grupin ose të manifestojë mllef, urrejtje, dhunë ose përbuzje ndaj tyre.
Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës 97(20) për “gjuhën e urrejtjes” e përkufizon si “përmbledhje e të gjitha formave të shprehjes që shpërndahen, nxisin, promovojnë ose justifikojnë urrejtjen rracore, ksenofobinë, anti-semitizmin ose format e tjera të urrejtjes, bazuar në mungesën e tolerancës, duke përfshirë: jotolerancën e shprehur nga nacionalizmi agresiv ose etnocentrizmi, diskriminim dhe armiqësi ndaj minoriteteve, emigrantëve dhe njerëzve me origjinë migratore”.
Studimet thonë se gjuha e urrejtjes në mediat shqiptare është e fokusuar kryesisht ndaj grave, më pas vijnë komunitetet fetare dhe në fund komuniteti LGBT. Minoritetet etnike janë gjithashtu të prekura nga gjuha e urrejtjes, megjithëse në një nivel më të ulët. Shembujt e mëposhtëm përmbajnë gjuhë urrejtjeje:
“Rrëfimi rrëqethës i babait vrasës: Im bir e meritonte, ajo ishte prostitutë”
“Dora te koburja”
“Vëllai, motrës në gjyq: Ta pres kokën, na turpërove!”
Gjuha e urrejtjes dënohet nga Kodi Penal, por edhe në ligjin për mediat audiovizive ka dy nene që përcaktojnë në mënyrë rigoroze detyrimet dhe kufizimet për operatorët radio-televizivë; neni 32 dhe neni 76, sipas të cilëve: “OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që të nxisin urrejtjen mbi baza racore, gjinie, fetare, etnike, kombëtare dhe çdo forme tjetër diskriminimi”.
Të mirë-përcaktuara këto ndalime i ka edhe Kodi i Transmetimit, “gardian” i të cilit është Këshilli i Ankesave. Ndërsa në Kodin e Etikës së Gazetarit 2018 theksohet:
“Media duhet të mos botojë materiale që nxisin urrejtje apo dhunë ndaj individëve mbi bazën e racës, fesë, kombësisë, ngjyrës, origjinës etnike, anëtarësisë, gjinisë, orientimit seksual, statusit civil, paaftësisë, sëmundjes apo moshës”. Ky parim plotësohet më tej më në detaje me përcaktimet e tjera lidhur me ndërhyrjet në jetën private, nxitjen e krimit e dhunës apo me mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara”. (ISHM, Kodi i Etikës së Gazetarit, 2018).
Rrjeti Ndërkombëtar i Gazetarisë Etike EJN ka përcaktuar pesë kritere për të përcaktuar nëse gazetarët duhet ta raportojnë gjuhën e urrejtjes kur ajo citohet nga të tjerë:
Në të tilla raste, rekomandohet që gazetarët të përifrazojnë deklaratën që përmban gjuhë diskriminuese ose gjuhë urrejtjeje duke mos përsëritur fjalë për fjalë gjuhën e urrejtjes dhe duke mos i dhënë hapësirë shpërndarjeje qëndrimeve të tilla përcarëse.
Ju mund të raportoni shkelje të etikës pranë Aleancës për Media Etike, një grupim që ka bërë bashkë 16 media shqiptare, të cilat kanë një Bord Etike që shqyrton ankesat e qytetarëve për mediat anëtare të Alencës dhe rekomandon korrigjimet për median përkatëse. Dërgoni ankesat tuaja në adresën info@kmsh.al.
Gjithashtu ju mund të raportoni gjuhën seksiste pranë organizatës Barazi në Vendimmarrje, e cila ka një seksion kushtuar raportimit në media në adresën: http://www.platformagjinore.al/m4e-media-4-equality/
Për shkeljet etike në mediat audiovizive, mund t’i drejtoheni Këshillit të Ankesave pranë AMA-s në adresën info@ama.gov.al
Për shkeljet etike në rrjetet sociale , ju mund të raportoni gjuhën e urrejtjes në Facebook, YouTube, Instagram and Twitter.
Të gjithë bashkë mund ta përmirësojmë raportimin gazetaresk duke respektuar etikën dhe vlerat e përbashkëta!
This quiz is for logged in users only.
Time’s up
Sheshit është një platformë kursesh online e krijuar nga Citizens Channel me mbështetjen e programit “Media for All” , financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
© 2021 Designed by Elsa Paja and Created by Giljana Limani. All Rights Reserved.