PEIZAZHI I MEDIAS NË SHQIPËRI

Ka disa mënyra për të analizuar panoramën mediatike të një vendi. Njëra mënyrë është të shohësh shkaqet ekonomike të ekzistencës së saj si dhe historinë ekonomike që e ka krijuar. Një mënyrë tjetër është ta shohësh nga shkaqet politike dhe shoqërore që e kanë krijuar. Dhe një mënyrë e tretë është ta shohësh nga vlerat apo antivlerat që ajo përfaqëson. Ndryshe nga shumë biznese të tjera, media, për shkak se konsumohet në një territor të gjerë dhe ndikon mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe votojnë, ka dy produkte për të shitur:

 

-informacionin/dëfrimin

-ndikimin që ka në shoqëri

 

Media është ajo që i jep formë shoqërisë dhe me raste, shoqëria i jep formë medias. Kjo e dyta duhet të merret me rezerva sepse nuk është e vërtetë që shoqëria ka median që meriton. Në shumicën e rasteve, faktorë historikë, të tillë si përqendrimi i pushtetit politik apo ekonomik, formëson median pavarësisht asaj që shoqëria dëshiron të ketë.

Në një model klasik, media sipas shkaqeve ekonomike mund të ndahet në tre lloje:

-media e financuar nga lexuesi,

-përmes blerjes së gazetës apo

-shërbimit televiziv me pagesë

Fjala vjen, Digitalb dhe Tring janë dy media transmetuese të cilat financohen nga shikuesit përmes abonimeve ndërsa Top Channel dhe TV Klan janë media që financohen nga reklamuesit. Citizens Channel, Reporter.al apo Faktoje janë media që financohen nga donatorët. Ndërsa ky mund të quhet kuadri teorik i shkakut ekonomik të ekzistencës së medias, në praktikë gjërat janë të përziera. Një media mund të financohet njëkohësisht nga dy apo tre llojet e financimeve. Dhe në fund fare, shpesh financimet e ndryshme shfaqen në emër tjetër.

Fjala vjen, një kompani mund të vendosë të reklamojë në një media jo pse shet mallra përmes reklamës, por për shkak se pushteti politik i ka kërkuar të reklamojë në atë media në shkëmbim të një favori politik ndaj kompanisë.

Media në Shqipëri

Mediat në Shqipëri mund të analizohet në këto dy kontekste:

 

  • trashëgimia nga koha e komunizmit dhe
  • kapitalizmi i egër i pas viteve 1990.

Për më shumë se 45 vjet, media në Shqipëri ishte mjeti i propagandës së regjimit komunist pa kurrfarë respekti për të vërtetën, për kontekstin apo për ndonjë vlerë tjetër. Kjo propagandë ushtrohej përmes gazetave kombëtare apo lokale, fjala vjen, gazeta Zëri i Popullit apo Bashkimi; nëpërmjet radios dhe televizionit apo nëpërmjet kinemasë dhe teatrit.

 

Kinemaja, ndoshta për shkak të kostove të stërmëdha që kishte apo për shkak të efektit të madh propagandistik që ushtronte, njihej si “Artileria e rëndë e propagandës komuniste”. Kinemaja ishte në gjendje të prodhonte deri në 14 filma në vit, të cilët shpërndaheshin në një rrjet prej deri në 240 pika shfaqjeje (kinema, kinema verore apo shfaqje në mjedise të improvizuara) dhe këto shfaqje përbënin në atë kohë mundësinë e vetme të dëfrimit për pjesën dërrmuese të popullsisë.

 

Filmat ishin ato që ngacmonin emocionet më bazë të shikuesit; nxisnin urrejtjen për të huajt apo glorifikonin një të shkuar në një masë të caktuar, që nuk ka ekzistuar kurrë.

Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit dikush me të drejtë mund të ngre pikëpyetje nëse media e para viteve ’90 vijon apo jo të ketë pasoja në jetën tonë. Në fund të fundit, gazetat Bashkimi apo Zëri i Popullit nuk ekzistojnë më. Por fakti është që modeli i medias së kohës së komunizmit si dhe edukimi mediatik i popullsisë, pra çfarë popullsia pret të mësojë nga media, vijon të ushtrojë një ndikim të madh në jetën tonë.

Përgjatë dekadës së parë pas rënies së komunizmit, media e krijuar në formën e gazetave ishte pak a shumë një vijimësi e medias së para komunizmit. Kur Shqipëria u bë vend me më shumë se një parti, në vitin 1991, gazetat “opozitare” të tilla si Rilindja Demokratike apo Republika, morën nga komunizmi një pjesë të stafeve të gazetave Zëri i Popullit apo Bashkimi si dhe frymën e tyre. Gazeta e parë private në vend, Koha Jonë, ishte fillimisht një gazetë lokale e regjimit komunist para se të shfaqej si gazetë private.

 

Por ndikimi më i madh i komunizmit në median e pas viteve ’90 nuk ishte thjeshtë te prejardhja apo te lloji i njerëzve që punuan në këto media. Ishte para së gjithash në modelin e medias pamfletiste. Nëse shohim pas gazetat e viteve ’90 nga ditët tona, do ta kemi të vështirë ose të pamundur për të kuptuar se çfarë ka ndodhur. Dhe po kështu, nëse lexojmë gazetat e viteve të fundit të komunizmit, do ta kemi të pamundur që të dimë se, fjala vjen, më 9 nëntor 1989, në qytetin e Berlinit, një mur që ndante dy botë u rrëzua.

 

Fakti është që gazetat Bashkimi, Zëri i Popullit e të tjera, refuzuan të raportojnë rënien e murit të Berlinit për lexuesit e tyre. Gazetat e pas viteve ’90 ishin në shumicë të këtij formati. Edhe njerëzit që prodhuan këto gazeta kishin nisur në shumicë karrierë në gazetat e komunizmit.

Të kujt janë mediat?

Në tregun e televizioneve, një raport mbi pronësinë dhe lidhjet ekonomike të pronarëve, zbuloi në vitin 2018 se pavarësisht se Shqipëria ka një numër jo të vogël kanalesh televizive, në fakt tregu është i dominuar në masë dërrmuese nga pak kompani të mëdha, që të gjitha nën pronësi familjare. Sipas raportit, katër kompanitë më të mëdha mediatike në vend, TV Klan, Top Channel, Vizion Plus dhe Focus News, kanë së bashku mbi 80% të xhiros totale të tregut të televizioneve.

 

Raporti i "Reporterëve Pa Kufij" mat treguesin e përqendrimit të medias duke llogaritur audiencën apo të ardhurat e katër kompanive më të mëdha, sipas përcaktimeve metodologjike të tyre. Në rastin e Shqipërisë, kjo e bën treguesin e kontrollit pak të deformuar pasi dy nga katër televizionet e përfshira në indeks, Vizion Plus dhe Focus News janë në fakt kompani të vogla. Dy televizionet e mëdha, TV Klan dhe Top Channel kanë së bashku 70% të tregut të televizioneve në vend.

Ndarja e tregut mes 10 televizoneve të mëdha

Dominimi i dy televizioneve kryesore në krahasim me të tjerët

Media tjetër e rëndësishme për nga niveli i parave që qarkullon është Radio Televizioni Shqiptar. Enti publik i transmetimeve ka një xhiro prej 2.5 miliardë lekësh në vit, shifër kjo e barabartë me të ardhurat vjetore të Top Channel dhe TV Klan të marra së bashku. Nëse paratë do të ishin gjithçka, TVSH do të ishte televizioni më i madh në vend me një të tretën e të gjitha parave të shpenzuara për televizione në Shqipëri. Por fakti është që pasja e parave është një gjë ndërsa ndikimi i opinionit publik është një gjë tjetër. Këtu mbërrijmë te faktorët mediatikë dhe te media sociale.

 

Faktorët mediatikë janë individë, prania e të cilëve në tregun e ideve është me ndikim. Kapitali i tyre nuk është monetar. Fjala vjen, Profesor Artan Fuga ka rreth 80 mijë ndjekës në faqen e tij në Facebook. Faktorët mediatikë mund të mos jenë doemos gazetarë, megjithëse shpesh ata janë. Këta faktorë mund të jenë në median sociale por mund të jenë edhe në median konvencionale, p.sh., Andi Bushati.

Arsyet kryesore të ekzistencës së medias shqiptare sot mund të kategorizohen si vijon:

Natyrisht që në teori këto janë katër burimet ekonomike të medias ndërsa në praktikë, mediat kanë gjithmonë një ose më shumë burime. Edhe mediat konvencionale si stacionet televizive, shpesh realizojnë projekte mediatike me financime nga donatorët ndërsa në rastet e financimeve nga pushteti politik, jo vetëm politika e organizuar në formën e partive politike është burim financimi, por edhe politika e strukturave të krimit të organizuar gjithashtu.

Mënyra tjerët e kategorizimit të medias në kohën e internetit është:

Aktualisht cilësia e informimit të një vendi mund të matet jo vetëm nga larmishmëria e burimeve të informimit dhe këndvështrimeve por edhe nga fuqia që media ka për të prodhuar fakte në mënyrë të pavarur nga pushteti politik apo ai ekonomik. Në këtë kontekst, mund të thuhet se mediat e financuara nga donatorët në Shqipëri, të tilla si BIRN, Faktoje apo Citizens Channel, kanë një rol disproporcional me burimet në prodhimin e fakteve që vlejnë për diskutim në tregun e ideve në krahasim me median konvencionale apo me median sociale.

 

Ndërkohë, media konvencionale është duke degraduar në rolin e përcjellësit të “fakteve” të krijuara nga pushteti politik me shumë pak kontribut të pavarur në tregun e ideve. Kjo gjë duket se reflekton kontrollin gjithnjë e më të madh të pushtetit politik mbi median si dhe dobësimin e rolit të gazetarëve dhe redaktorëve në median konvencionale.

This quiz is for logged in users only.


Hyr