Rrëfimtaria përmes gazetarisë mobile

Historitë më të mira gazetareske ndonjëherë krijohen krejt aksidentalisht dhe papritur. Kjo ndodh edhe me ngjarjen që do të tregoni tani.

Krejt rastësisht jeni gazetari i parë që ka akses në qendrën hapsinore ku po përgatitet nisja e satelitit “Albania 1”. Përpara jush qëndron sateliti, pothuajse i përfunduar dhe pranë tij ulet me krenari projektuesi, një inxhinier hapësinor i panjohur më parë për publikun.

Ajo që shihni është e jashtëzakonshme, ju doni ta raportoni atë por nuk keni një kameraman me vete. Çfarë do të bëni?

A. Do të merrni telefonin tuaj dhe do të xhironi video-intervistën.

B. Do të kërkoni leje për të xhiruar një ditë tjetër, kur kameramani të jetë me ju.

1- Hapi i parë – Regjistroni intervistën

Regjistrimi i intervistës është gjëja e parë që duhet të bësh për të marrë njohuri dhe informacione shtesë rreth ngjarjes. Kjo do të lejojë më vonë të planifikosh dhe të marrësh plane të mira mbulimi, të quajtura ndryshe “B-roll”.

Në shumë raste realizimi i intervistës do të ndihmojë dhe që të familjarizoheni me subjektin, duke zvogëluar tensionin apo ankthin e tij/saj gjatë marrjes së planeve me mbulim.

Imagjino sikur po përdor telefonin tënd për të regjistruar intervistën me dizenjuesin e satelitit “Albania 1”.

 

Këto janë disa këshilla për ta bërë atë si duhet:

Regjistroni horizontalisht - Në shumicën e rasteve është e preferueshme të filmoni videot horizontalisht, veçanërisht intervista sepse mund të tregoni shumë më tepër detaje dhe ju jep më shumë liri në montazh. Në disa raste, për shembull për Instagram, mund të regjistroni video tërheqëse vertikale. Gjithsesi, duhet të mbani mend një rregull të rëndësishëm: mos përzieni pamjet vertikale me ato horizontale në të njëjtën video!

Vendosni njerëzit në kontekst.  Gjithmonë duhet të keni parasysh sfondin. Mos bëni intervista ku i vendosni njerëzit që intervistoni thjesht para një muri të bardhë. Sfondi duhet të lidhet me temën që po trajtoni. Nëse jeni duke intervistuar një fermer, tregojini shikuesve kafshët e fermës në sfond, nëse jeni duke intervistuar një zjarrfikës, tregojini automjetin pajisjet apo zjarrëfikësen në sfond. Në rastin specifik, sfondi mund të jetë projekti i satelitit ose një dhomë që tregon se një anije kozmike është duke u bërë ndërtuar.

Pozicionimi i duhur i të intervistuarit - Poziciononi kamerën/celularin në nivelin e syve të njerëzve që po intervistoni. Kontrolloni ekranin se si duket. Mos ia preni kokën të intervistuarit, por mos e vendosni shumë poshtë, në mënyrë që të mos duket sikur fundoset në plan.

Rregulli i tre pjesëve - Ky është një nga parimet bazë në fotografi, që mund t'ju ndihmojë të filmoni intervistën e përsosur. Përdorni/aktivizoni “gridlines” në smartphone tuaj për të ndarë imazhin tuaj tre pjesë horizontalisht dhe vertikalisht. Këto linja dhe kryqëzimet e tyre udhëzojnë vendndodhjen e elementeve të rëndësishëm kompozicional në planin tuaj. Poziciononi subjektin tuaj aty ku vijat kryqëzohen në këndin e sipërm majtas ose djathtas të rrjetës me sytë e subjektit përgjatë vijës së sipërme horizontale.

Drita - Shmangni xhirimet në dhoma të errëta ku nuk ka dritë natyrale sepse në këtë situatë telefonat nuk performojnë më së miri. Kur xhironi një intervistë, sigurohuni që subjekti juaj të jetë përballë dritës, mos e vendosni me diellin ose dritaren (apo ccdo burim drite) pas shpine. Nëse nuk keni asnjë alternativë tjetër, mund të përdorni blicin e celularit.

Stabilizimi - Është mirë që intervista të regjistrohet duke përdorur një tripod apo një “gimbal” (pajisjë për stabilizimin e kamerës), për të pasur një imazh të qëndrueshëm. Nëse nuk e keni, stabilizoni celularin duke e mbajtur me të dyja duart. Provoni të mbështetni duart tuaja në një tavolinë ose në një sipërfaqe tjetër të sheshtë nëse intervista zgjat më shumë se një minutë.

Audio - Përdorni një mikrofon të jashtëm ( mikrofoni mizë ose lavalier është një mikrofon i vogël i krijuar për t'u kapur në rrobat e një personi) për të regjistruar audio më të mirë. Nëse nuk keni një të tillë, mund të përdorni kuet që kanë mikrofon të integruar. Nëse nuk keni asnjë nga këto pajisje, përpiquni të afroheni sa më shumë me të intervistuarin dhe sigurohuni që të mos e bllokoni mikrofonin me gishta. Gjithashtu, shmangni dhomat me zhurmë/shmangni filmimin jashtë ku ka zhurma të forta në sfond. Testoni audion për 10 sekonda përpara se të regjistroni intervistën e plotë.

Bllokoni fokusin dhe ekspozimin – Shpesh të intervistuarit lëvizin duart apo trupin kur flasin. Për shkak se telefonat kanë zakonisht opsionet e fokusit dhe ekspozimit automatik, lëvizjet mund të prishin dritën dhe fokusimin e videos. Në filmimet amatore mund të shihni shpesh një “flluskë” drite që shfaqet në ekran, për ta shmangur këtë duhet që të bllokoni fokusin dhe ekspozimin pasi të keni rregulluar nivelin e dritës. Në shumicën e telefonave kjo mund të bëhet lehtësisht, duke shtypur për 2 sekonda mbi ekran, derisa shenja “AE/AF Lock” të shfaqet.

Filmoni në “Airplane Mode” – E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, sigurohuni që të aktivizoni modalitetin e aeroplanit përpara se të shtypni butonin e regjistrimit. Kjo do të parandalojë ndërprejet nëse telefoni juaj fillon të bjerë papritur gjatë intervistës.

Drejtojeni intervistën – Mos harroni që jeni ju drejtuesi i intervistës, kështu që ju duhet ta orientoni bisedën. Kërkojini të intervistuarit tuaj të flasë qartë, me fjali të plota. Kërkojuni gjithmonë të përfshijnë pyetjet tuaja në përgjigjet e tyre në mënyrë që mesazhi të jetë i kuptueshëm. Gjithmonë kini parasysh se deklaratat duhet të jenë 15 deri në 20 sekonda dhe të paraqesin një mendim të plotë. Lejoni disa sekonda pauzë midis fundit të përgjigjes së të intervistuarit tuaj dhe pyetjes tjetër. Kjo do t'ju ndihmojë gjatë procesit të montimit.

Shkëlqyeshëm, tani jeni në gjysmë të rrugës. Keni një intervistë fantastike me projektuesin e satelitit të parë shqiptar që planifikohet të lançohet në hapësirë së shpejti. Keni disa citime të mrekullueshme që mund t'i përdorni për historinë tuaj. Por ende nuk keni mbaruar. Tani vjen pjesa argëtuese

Këshillë Bonus: Linqet për disa aplikacione të avancuara për filmimin në celular- Open Camera ( falas) Filmic pro (Me pagesë/14.99$)

2- Hapi i dytë – Krijoni identitetin vizual të historisë

Tani duhet të keni një ide të qartë rreth historisë që do tregoni. Do të përqendroheni tek sateliti apo tek njeriu që krijoi satelitin? Përpiquni t'i personalizoni gjithmonë historitë tuaja, pavarësisht nëse historia ka të bëjë me një urë, një mace apo në këtë rast një satelit artificial, përpiquni ta lidhni atë objekt me një person, me emocionet dhe ndjenjat e tij/saj. Kjo është mënyra për t’i humanizuar historitë dhe për të hedhur “grepin” emocional që do të tërheqë vëmendjen e shikuesve.

 

  • “Grepi emocional i historisë” – Në intervistën tuaj, grepi emocional është citimi nga dizenjuesi i satelitit që thotë: “Ky satelit nuk është një objekt i zakonshëm, është si një fëmijë që e kam krijuar nga asgjëja. Kështu që, lancimi i tij në orbitë është njëlloj si të dërgoja fëmijën tim në hapësirë”

Shkelqyeshëm! Ju do ta përdorni këtë citim për 10 sekondat e para të videos. Kështu do të tërhiqni vëmendjen e shikuesve. Por citimet e shkëlqyera duhen kombinuar me pamje mbulimi (B-roll) po aq të mira!

 

Le të shohim disa sugjerime se si ta bëjmë këtë:

  • Mendoni në sekuenca - Kur planifikoni të tregoni një histori përmes videos, është gjithmonë më mirë të mendoni në sekuenca, si në një film. Në rrëfimtarinë me video, një sekuencë është një seri shkrepjesh që funksionojnë së bashku për të treguar një veprim. Për shembull, nëse projektuesi i satelitit të parë artificial shqiptar është duke punuar për instalimin e pjatës së antenës në modelin satelitor, atëherë pikërisht në këtë proces mund ta filmoni nga kënde të ndryshme (nga afër, mbi supe, plan mesatar etj.) duke bërë një sekuencë me 3 deri në 5 plane nga i njëjti veprim. Ndonjëherë do t'ju duhet t'i kërkoni personazhit ta përsërisë një veprim të caktuar në mënyrë që ta filmoni nga kënde të ndryshme.
  • Kapni detaje - Rregulli i artë për filmimin me celular është mos zmadhoni, por të afroheni. Telefonat smart janë të vegjël dhe mund t'i vendosni kudo, zakonisht në vende ku kamera televizive apo edhe kamera DSLR nuk përshtatet. Përdoreni këtë si një mundësi. Telefonat celularë kanë një lente me kënd të gjerë me aftësi të kufizuar zmadhimi. Pra, mënyra më e mirë është të afroheni me subjektin e regjistrimit për të marrë plane detaj dhe të largoheni për të marrë plane të gjera. Për një histori si lëshimi i satelitit, nëse keni 20 plane të ndryshme, sigurohuni që më shumë se gjysma ose edhe ⅔ e tyre të jenë plane detaj dhe pjesa tjetër mund të jetë plane mesatare dhe të gjera. Ideja është të krijoni përmbajtje nga celulari që gjithashtu të mund të konsumohet në celular. Dhe planet detaj janë të shkëlqyera për t'u parë në ekranin e vogël celular
  • Luaj me perspektivën - Mos e shkrep çdo video nga niveli i syve. Përmes celularit, ju mund t'u tregoni shikuesve botën siç nuk e shohin zakonisht. Pra, luani me perspektivat, gjunjëzohuni në tokë, ngrini krahët ose ngjituni mbi një objekt. Për shembull, mund të merrni plane duke e mbajtur telefonin mbi kokën e dikujt ose thjesht mund ta vendosni telefonin afër tokës. Nëse dëshironi të tregoni një perspektivë interesante se si projektuesi po punon me satelitin, mund ta vendosni telefonin në tavolinë shumë afër objektit dhe ta mbani të pa lëvizur për 15 sekonda ose mund ta vendosni para syve të projektuesit në mënyrë që të merrni plane nga këndvështrimi i tij. Ju gjithashtu mund ta vendosni telefonin me kamerën të drejtuar në tavan, kështu që do të kapni duart e projektuesit teksa ai është duke punuar
  • Zgjateni planin në 15 sekonda - Kur jeni duke filmuar një plan, sigurohuni që ta mbani kamerën për të paktën 15 sekonda pa lëvizur. Mbani në mend që të filmoni sa më shumë video statike me gjatësi 10 deri në 15 sekonda. Mund të përdorni vetëm 4 ose 6 sekonda në montazh, por gjithsesi mos filmoni një plan për më pak se 10-15 sekonda, që të keni mundësi për të zgjedhur pjesët më të mira. Një sekunenë e gjatë mund të shkurtohet, por një sekuence e shkurtër nuk mund të bëhet më e gjatë
  • Plane Statike VS Plane të Lëvizshme – Kur përdorni telefonin celular është më mirë të bëni plane statike se “pan shots” ( plane horizontale nga një anë në tjetrën) apo “tilt shots” (plane vertikale). Nëse doni patjetër të merrni plane lëvizëse, mbani mend që ato nuk duhen kombinuar me njëra-tjetrën, pasi lëvizjet e shpeshta mund ta konfuzojnë shkuesin.
  • Këshillë Bonus – Lexoni si përdorimi i smartfonëve për prodhimin e lajmeve, është rritur me nivelin më të shpejtë ndër vite (73%), i ndikuar dhe nga izolimi për shkak të COVID-19. (Reuters Digital News Report 2021)

3- Hapi i tretë – Tregojeni historinë në 60 sekonda

Shkëlqyeshëm, pothuajse ja dolët. Keni intervistën, pamje të shkëlqyera me mbulim dhe plane detaj të projektuesit që po punon për satelitin e parë shqiptar që do të lëshohet në orbitë. Tani ju duhet vetëm të tregoni historinë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është përmes videove të shkurtra në mediat sociale që mund të jenë 1 deri në 3 minuta në varësi të dinamikës së historisë, pamjeve që keni, citimeve etj. Por, le të qëndrojmë tani për tani në videon 60 sekondëshe.

 

Këto janë disa këshilla se si të krijoni videon perfekte për mediat sociale:

  • Tërhiq vëmendjen e shikuesve në më pak se 10 sekonda - 10 sekondat e para në një video janë vendimtare. Mos e filloni videon me logon e medias suaj që shfaqet në ekran për 5 sekonda. Nëse e bëni këtë, çdo video do të duket e njëjtë dhe njerëzit do të mendojnë se është i njëjti material që përsëritet. Në vend të kësaj, filloni videon me pamjet më të mira apo audion më tërheqëse, ose të dyja nëse kjo është e mundur. Planet detaj zgjojnë kureshtjen e shikuesve, ata fillojnë të pyesin se për çfarë bëhet alë. Në rastin tonë, ne tashmë kemi vendosur që të fillojmë me citimin e projektuesit që thotë se ai po dërgon fëmijën e tij në hapësirë. Ne mund ta shfaqim atë duke e thënë këtë në kamera, por mund të tregojmë gjithashtu edhe plane të tij duke punuar ndërsa dëgjojmë citimin. Kjo është një mënyrë e mirë për të “shitur” historinë tuaj te shikuesit
  • Mos e filloni videon me një plan të gjerë - Shmangni formatin tradicional televiziv kur krijoni video për media sociale. Shmangni fillimin me të ashtuquajturën “establishing shot” (plan fillestar që tregon të gjithë ngjarjen) - mund të filloni direkt me citimin më të fortë apo një plan detaj.
  • Përdorni tekstin mbi ekran - Videot e mediave sociale shpesh shihen pa zë, veçanërisht në Facebook dhe Instagram, kështu që gjithmonë mbani parasysh se çfarë mund të kuptojë shikuesi pa zë. Kjo është arsyeja pse duhet ta përmblidhni historinë me strisha teksti në ekran. Mos harroni se teksti nuk duhet të shpjegojë pamjet. Nëse shohim në video që projektuesi vendos flamurin shqiptar në satelit, mos shkruani në ekran “Projektuesi po vendos flamurin shqiptar në satelit”. Në vend të kësaj, përdorni videon dhe tekstin për një tregim më të rrjedhshëm. Për shembull, mund të shkruani “Ky është një hap i vogël për njerëzimin, por një kërcim gjigant për Shqipërinë”. Mos harroni se duhet të përdorni vetëm ali të shkurtra që përshtaten me ekranin dhe mbani mend - shumica e njerëzve do e shikojnë atë në ekranin e vogël të celularit, kështu që bëjeni tekstin të shkurtër dhe me gërma të mëdha. Tregojeni historinë me pesë ali - Nëse përdorni tekst në ekran, përpiquni ta tregoni historinë me 5 ali. Të gjithë mund të shkruajnë artikuj të gjatë ose të bëjnë video të gjata, por jo të gjithë mund të tregojnë një histori të tërë me pesë ali.

Kështu për shembull historia për projektuesin e satelitit të parë shqiptar, mund të fillojmë me citatin dhe më pas mund të vazhdojmë me këtë tekst:

Titulli i videos: Njeriu që do të nisë Shqipërinë në hapësirë

Citim nga Elmaz Hasani, inxhinier i hapësirës ajrore

“Ky satelit nuk është thjesht një objekt i zakonshëm, është si fëmija im që e kam krijuar nga asgjëja. Pra, nisja në orbitë është si të dërgoj fëmijën tim në hapësirë”

  • Inxhinieri Elmaz Hasani nga Tirana ëndërronte të bëhej astronaut

 

  • Ai kurrë nuk arriti në kozmos.

 

  • Por së shpejti do ta çojë Shqipërinë në hapësirë.

 

  • Atij iu deshën gjashtë muaj për të projektuar satelitin.

 

  • Që është planifikuar të lëshohet vitin e ardhshëm dhe të qëndrojë në orbitë për 4 vite.

Këshillë Bonus – Linqet për disa aplikacione editimi video: Adobe Premiere Rush (falas/ nuk i përshtatet çdo telefoni) Kinemaster (falas) InShoot.

Tani që kemi arritur në fund, le të testojmë njohuritë tuaja.

 

This quiz is for logged in users only.


Hyr