Tradicionalisht ndarja e prerë mes gazetarisë dhe pozicionimit të gazetarit për një çështje sensitive është ushqyer nga frika deri diku legjitime se mos raportimi i gazetarit do të ishte i kahshëm, i anuar në një krah, por në asnjë rast nuk është pyetur se cili ka qenë aktori që e ka denoncuar këtë fakt. Pra nga krahu tjetër kemi patur njerëz të paanuar që e kanë denoncuar apo palë të angazhuara që e kanë vënë në presion gazetarin nga pozicione aspak neutrale?
Për ta patur analizën e plotë, na duhet që të shohim se sa objektiv dhe i paanuar është një gazetar, por edhe sa i painteresuar është ai që e akuzon për paanshmëri. Ndoshta mund të ndodhë që paanshmëria e gazetarit, mundet të lerë një ngjarje pa fajtorë, pa përgjegjës, pa fitues e pa të humbur, pa xhelatë e viktima. A duhet dhe a mundet që gazetari të shkëputet me mish e shpirt nga ngjarja duke mos mbajtur asnjë pozicion, për të kryer rolin e neutralit të përjetshëm, gjithmonë i shkëputur nga konteksti i konfliktit mes palëve, duke mos kundruar nga afër raportet e forcave mes tyre?
Puna e gazetarit historikisht është luhatur mes dy forcave, nga njëra anë kemi normat profesionale të paanshmërisë dhe objektivitetit, dhe nga ana tjetër komunikimin e padrejtësive ndaj publikut të gjerë. Këto forca, jo gjithmonë kanë qenë të kollajta për t`u balancuar.
Edhe nëse gazetaria ka mëtuar të rrijë larg përfshirjes së drejtpërdrejtë të redaksisë në ngjarje ku niveli i fërkimeve sociale ka qenë i lartë, ajo që vihet re është se vetë organizata të angazhuara në kauza të caktuara, po i afrohen gazetarisë duke kryer atë mbulim dhe raportim që ndoshta vetë gazetarët e kanë lenë si hapësirë të pa mbuluar.
Sot vërejmë shumë gazetarë profesionistë të pozicionuar që punojnë në redaksi prestigjioze, ata nuk kanë frikë t`i shprehin qëndrimet e tyre, pa harruar që shumë gazetarë përfaqësojnë komunitete të diskriminuara, ndaj të cilëve nuk dijmë nëse vlen kërkesa për të qenë objektiv dhe të pavarur.
Pyetja që shtrohet është se a janë gjithmonë dy kahje në pozita të barabarta që meritojnë mbulim të balancuar, apo mund të ndodhë që ekuilibrat socialë të cenohen dhe një mbulim neutral vetëm mund ta përkeqësojë një padrejtësi?
Kur ne i themi një gazetari që mos mbaj anë, me siguri nënkuptojmë që gazetari i njeh shumë mirë të gjithë anët e një çështjeje apo ngjarjeje dhe preferon që shkrimin ta ofrojë në atë mënyrë që japë të gjithë informacionin e nevojshëm por pa u pozicionuar, problemi është sa gazetarë e arrijnë këtë standard, dhe ecim akoma, sa e mundur është që t`i njohësh të gjithë fushat apo hapësirat, dhe të shkruash mbi to?
Në redaksitë e sotme, gazetarët kryesisht rekrutohen për atë që dinë më mirë, apo që mbulojnë një hapësirë të nënraportuar, aktiviteti i tyre është i orientuar tematikisht, ata vijnë me statusin e të specializuarit, a mundet që ky gazetar të kryejë mbulim të balancuar? Njohja e thellë e një çështjeje nënkupton që gazetari të njohë sfondin social, nuancat kulturore, ndjeshmëritë, dhe duket se thellimi te një çështje dhe shpërndarja horizontale për të balancuar raportet mes aktorëve shkojnë në kontradiktë me njëra-tjetrën?
Në kohën e sotme kur flasim për mbulim mediatik nuk kemi parasysh vetëm fusha të hulumtimit, psh. politika, kultura, ekonomika, drejtësia, por kemi të bëjmë dhe me ndjeshmëri sociale, siç janë diskriminimi, stereotipet, xhentrifikimi etj. A mundet që një gazetar që merret në punë të trajtojë këto çështje, të jetë neutral apo i paanshëm, mes autorit dhe viktimës?
Duke mbajt në konsideratë që një pjesë e komunikimit të medias kryhet nëpërmjet mediave sociale, redaksitë me komunitetet online janë gjithmonë e më afër. Por më afër akoma më shumë janë gazetarët me publikut, dhe vetë imazhi i medias varet shumë nga pjesa e personalizuar e komunikimit, që nuk mund ta kryejë dikush më mirë se gazetari. Logoja në vetvete nuk flet, është puna e burimeve njerëzore që e krijon logon. Në këtë aspekt raporti i gazetarit me publikun është gjithmonë e më afër. Ata interaktojnë në vazhdimësi, ndajnë pikëpamje mbi çështje. Gazetari kërkon të përthithë informacion nga publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç edhe publiku pret nga gazetarët. Gazetarët kanë profilet e tyre në rrjetet sociale, kanë moderim të drejtpërdrejtë të përmbajtjeve që ata shkruajnë, madje kanë dhe dashboard-et e personalizuara, ku monitorojnë kohë pas kohe se si ecin artikujt e tyre, sa lexohen dhe kush i lexon.
Ata janë emra të njohur, kanë dhe hapësirat e tyre të dedikuara në kolonat e medias, blogojnë për mediat apo në kanalet e tyre, kanë ndërtuar një univers të personalizuar të komunikimit, madje dikush as nuk punon në një media. Është e mundur që politika redaksionale e medias t`i mbivendoset dhe ta detyrojë që çështjeve t`i qaset sipas politikës së redaksisë qëndrore.
Në këto kushte, a mundet që media të funksionojë sipas modelit të vjetër, ku pozicionohet si e papërfshirë në ndonjë nuancë ndjeshërie, pa përkatësi me një publik të caktuar? Vështirë shumë, megjithëse mund të tingëllojë si kontradiktore. Nëse dikur për të qenë objektiv duhet të qëndroje sa më larg publikut, apo komunitetit mbi të cilin raporton, në kushtet e sotme vlen e kundërta. Për të raportuar sa objektivisht, duhet t`i qëndrosh afër, sepse shkalla e objektivitetit mund të rritet nëse e njeh më mirë subjektin për të cilin raporton, nuk e nxjerr nga konteksti social. As puna e gazetarit nuk mund të jetë më kirurgji, por ka nevojë të afrohet sa i duhet me subjektin, të dëgjojë publikët e interesuar, të rrisë besimin me ta, por pa u konvertuar si ata, pra pa e shuar lirinë e tij.
Raportimi për çështjet sensitive
Pika e tretë që është me rëndësi dhe ia vlen të vemë në fokus, është se jo të gjitha ngjarjet janë në pikëpyetje. Ka disa subjekte për të cilat ka konsesus të gjerë, ndonjë syresh cilësohet si emergjencë globale. A mundet gazetari të jetë neutral dhe të bëjë një raportim të distancuar pa pozicion, për këto çështje me ndjeshmëri shumë të lartë publike?
Rasti i ndryshimeve klimatike, është një hapësirë e raportimit, e mbulimit, ku faktet duket se janë afirmuara, dhe lënë pakus kryesisht te ndryshimet klimatike, si një e vërtetë e gjithëpranuar si sfidë e dekadave për njerëzimin, këto “dhoma” të specializuara nuk janë ngritur për të mbuluar dhe ato që e mohojnë se ndryshimet klimatike po ndodhin për shkak të ndikimit të aktivitetit të njeriut, ato pozicionin e kanë tanimë, thjesht thellojnë njohuritë dhe informacionin mbi subjektin. Kjo është e formë e gazetarisë së angazhuar për një
çështje madhore.
Modeli i financimit
Një aspekt tjetër që e ka transformuar përfundimisht botën e mediave dhe përditshmërisë e gazetarit, ka të bëjë me mënyrën e financimit, ku shkurtimisht mund të spikasim këto risi : komercializim të hapësirës së medias duke iu bashkangjitur përmbajtjes mediatike dhe produkte të firmave të ndryshme që media dëshiron të kooperojë. Vemë re që disa shkrime prodhohen nga gazetarë të medias, por janë të sponsorizuara nga operatorë të jashtëm publikë, të hapësirës civile apo privatë, të cilën ndërthurin mesazhet tregtare me përmbajtjen e medias, në atë që quhet “content marketing”. Apo kemi media që financohen në forma filantropike nga donatorë, apo organizata të caktuara, siç edhe po shtohen rastet, kur mediat paguhen direkt nga publiku dhe refuzojnë çdo formë tjetër të përfitimit. Në këto kushte kur reklama është shumë poshtë në shkallaren e opsioneve të financimit, nuk duket se vlen më modeli klasik puritan kur hapësira e medias duhet të rrijë ashtu e gjeneralizuar, në respekt të të gjithë kahjeve dhe zërave, duke ndjekur axhendën mainstream të ngjarjeve të ditëve të shtyrë nga aktorët politikë apo ekonomikë dominantë. Duket se hapen perspektiva të reja të raportimit, ku axhenda çlirohet dhe mundet që t`i shërbejë publikëve më të ngushte, mbi subjekte me
specifike dhe ndjeshmëri më të lokalizuara.
Përgjatë historisë së mediave dhe gazetarisë shpesh kemi dëgjuar për norma universale, për vlera morale, për shtysa profesionale, të cilat si rregull janë ndarë brenda komunitetit të mediave nëpërmjet kodeve etike. Sot këtë diskurs inkluziv, të një normative të unifikuar të shenjuar në një dokument të gjithë pranuar, e dëgjojmë shumë më pak, por gjejmë gjithmonë e më shumë “deklarata misioni” të cilën media e shpall si manifest para publikut për të shpjeguar pozicionin e saj dhe gazetarëve që aderojnë. Kemi dhe slogane të prodhuara nga mediat e rëndësishme, në formën e një misioni të shpallur, duke u ripozicionuar në hapësirën publike në varësi të kushteve të reja. Duket se “ethosi” i gazetarit dhe medias nuk është më i shtrirë universalisht, por propagandohet sipas mediave përkatëse, të cilat kanë ndërtuar një sistem më të kontekstualizuar vlerash, e cila kthehet në formë kontrate e gazetarit me publikun, ku dhe publiku duket se aderon tek ai sistem vlerash. Kjo funksionon sidomos te mediat me pagesë, të cilat e kanë të kushtëzuar ekzistencën e tyre me koherencën që ruajnë me publikun ndaj të cilit shërbejnë. Këtu nuk flasim për publikë të veçantë,
por më shumë për vlera, të cilat mund t`i ndajnë publikë të ndryshëm.
Kur flasim për objektivitetin në gazetari, kryesisht, siç na mëson literatura kemi parasysh këto dimensione:
Le të shohim pak më poshtë nëse këto pretendime janë të qena dhe mbi të gjitha a na vlejnë në kohën e sotme? Jo vetëm që pretendimi për objektivitet të kulluar nuk ka asnjë konsistencë universalizmi, por vetë togfjalëshi “Gazetari Objektive” është i mbushur me kontradikta.
Kontradikta me qasjen historike
Megjithëse ne e trajtojmë objektivitetin në raportim, por dhe në qëndrimet editoriale si një vlerë universale, literatura na mëson se gazetaria objektive është një shfaqje e shek XIX, dhe jo për shkak të ndonjë dinamike iluministe, por bazuar mbi interesa ekonomike, të cilat lidhen me hapjen e mediave ndaj reklamuesve, me ndarjen e hapësirës së informimit me aktore komercialë. Për të rentabilizuar në këtë drejtim përmbajtja u distancuar nga interesat e financuesve individualë, ajo u bë më përfshirëse, pa kahje, duke mbledh sa më shumë audiencë që t`ua shisnin reklamuesve; nuk ka asnjë lidhje me ndonjë hap progresist të vlerave shoqërore apo të gazetarisë.
Kontradikta me zhvillimet në teknologjinë
Në një ekosistem ku e gjithë reklama po përthithet nga platformat teknologjike shohim që parimi i objektivitetit universal është në krizë të thellë dhe madje si formulë ekonomike. A mundet që media dhe gazetari të ruajnë të njëjtat pozita në një ekosistem të informimit të platformizuar, ku informacion qarkullon horizontalisht mes përdoruesish, dhe ku shpejtësia e qarkulimit është me disa herë më e shpejtë? Sa mban parimi i objektivitetit në këto kushte, ku janë mundësitë e gazetarit që të mbledhë fakte, të kontekstualizojë, të filtrojë që të ofrojë një informacion me vulë të dallueshme për audiencën? Në këto kushte, modeli që kemi përshkruar më lart shembet dhe të njëjtat parime të fund shekullit XIX-të, fillim shekullit XX-të janë në krizë të thellë.
Kontradikta në raportin me menaxhimin e kohës
Parimi i objektivitetit është në kontradiktë me administrimin e kohës në favor të raportimin në shërbim publikut. Nuk mund ta ofrosh në një model të menaxhimit që e përdor hapësirën për reklamë, duke krijuar lajme të përgjithshme në një ritëm të përditshmërisë për të mbajtur audiencën fikse me ushqimin e ditës. Parimi i objektivitetit të bën të fitosh kohë, sepse lajmet ndërtohen në bazë të një formule të përhershme, por asnjë ngjarje nuk mbulohet thellë, sepse nëse kjo do të synohej, do të duhej që koha të shpenzohej
për thellimin e ngjarjeve dhe jo për mbulim gjeneralist.
Kontradikta mbi rolin e gazetarisë
Parimi i objektivitetit (si paraqitje në kushte të barabarta të palëve, duke cituar qendrimet e tyre, duke transmetuar zërin e burimeve zyrtare pa kontekst, pa interpretim, pa një axhendë, pra të bësh thjesht një tutoriat të lajmit) a garanton kjo barazinë mes palëve të përshira, por dhe publikut që do të jetë afër ngjarjes si interesuar? Pra vetë parimi i objektivitetit ka një kontradiktë të thellë brenda vetes, sepse e përçon gjendjen e pozicionimit të aktorëve siç është një paraqitje “prej askund”, pa perspektivë, nuk jep qasjen interpretative të gazetarit, duke ua lënë axhendën e informimit të fuqishmëve, dhe duke nxjerrë nga skaleta çështje që axhenda zyrtare nuk i konsideron fare.
Kontradikta me moralin strikt
Nëse një gazetar do ta nxjerrim nga vlerat konjulturale, nga besimet, nga idetë dhe pozicionet e tij, nga tipologjia socio-demokrafike, por do ta shtrëngojmë në morsën e moralit, ky gazetar ka shumë mundësi që në çdo moment të hezitojë me frikën se po shkel diku dhe si përfundim në fund nuk do të shkruajë asgjë, sepse gjithmonë do të ketë diçka ta pengojë. Kur t`i kërkojmë që të jetë i ndershëm dhe moralisht korrekt, duhet të kuptojmë që jemi duke e bllokuar.
Kontradikta e parimit të objektivitetit me propagandën
Kontradikta e parimit të objektivitetit me interesat e vetë gazetarit
Parimi i objektivitetit është dhe kundër vetë interesave të gazetarit, sepse një mbulim objektiv prodhohet nga një redaksi, dhe zëri individual i gazetarit suprimohet nga politika editoriale e medias që mbahet me dorë të hekurt nga drejtimi. Studimet e fundit kanë treguar që fshehja e emrit të gazetarit, moslejimi i komunikimit të tij në formë të drejtëpërdrejtë me publikun e gjerë, e largon median nga publiku, i ul besimin; fshehja e aktivitetit të redaksisë e politikave editoriale të redaksisë, e vlerave ku bazohet, e bën publikun akoma dhe më mosbesues
Parimi i objektivitetit, në vend që ta luftojë propagandën në fakt e ushqen dhe më shumë, pasi studimet kanë rezultuar që lajme, postime, informacione të emetuara nga operatorë radikalë, partizanë, kanë një shkalljë përhapjeje të jashtëzakonshme krahasuar me palën tjetër që mund të ketë pozicione partizane, por nuk ka të njëjtën shkallë angazhimi nga aderuesit. Nëse media në këtë rast qëndron neutral, e papozicionuar duke respektuar palët, ka rrezik që të krijojë atë që Yochai Benklet e quan “ekuivalenca false”. Sepse ata kanë mundësi që ekuivalentë mund të jenë vetëm në faqen e gazetës, në hapësirën online, por jo në realitet, pasi
qarkullimi partisan i lajmit nuk është qarkullim normal, por është qarkullim në rreth vicioz, në "loop" dhe sa më shumë qarkullon, aq më shumë popullarizohet, duke rritur në spirale qarkullimin dhe përfundon që mbyt hapësirën e komunikimit. Në një sistem të pasur me propagandë, të jesh neutral do të thotë të jesh bashkëpunëtor.
Burime
Ku Mbaron Gazetaria e Ku Fillon Aktivizmi? - Nieman Report
Gazetaria nuk po vdes, ajo po kthehet tek rrënjët.– Wired
Advokuesit po bëhen gazetarë, a është kjo një gjë e mirë? – Columbia Journalism Review
This quiz is for logged in users only.
Time’s up
Sheshit është një platformë kursesh online e krijuar nga Citizens Channel me mbështetjen e programit “Media for All” , financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
© 2021 Designed by Elsa Paja and Created by Giljana Limani. All Rights Reserved.