Aktivizmi konsiderohet përdorimi i veprimeve të drejtpërdrejta dhe të dukshme me qëllim arritjen e rezultateve të caktuara, zakonisht politike ose sociale. Objektivi i modulit “Aktivizmi dhe ligji” është paraqitja e një panoramë të thjeshtuar teorike, e ilustruar me raste praktike, e aspekteve kryesore të kuadrit ligjor të lidhura me aktivizmin në mbështetje apo në raportimin e kauzave të caktuara dhe çështjeve strategjike.
Në trajtimin e modulit, synimi nuk ka qenë ezaurimi i temave përkatëse, por trajtimi i tyre në një qasje praktike dhe të thjeshtë, që i shërben kujtdo që gjendet në nevojë për përdorimin e këtij informacioni ligjor.
Transparenca e administratës publike dhe aksesi në dokumentet zyrtare, janë ndër mjetet kryesore në dispozicion të një aktivisti, apo gazetari gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij. Kjo merr një përparësi edhe më të madhe në vende si Shqipëria, ku administrata publike ka si traditë qasjen për të qenë e “mbyllur” ndaj qytetarit. Një ndihmë në këtë drejtim jep ligji që rregullon të drejtën e informimit.
a. Çfarë është ligji për të drejtën e informimit; Çfarë të garanton; cilat janë afatet;
E drejta e informimit në vend rregullohet nga ligji Nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit”, që parashikon të drejtën e çdo personi, për të pasur akses në informacionin publik. Konsiderohet informacion publik çdo e dhënë, pavarësisht formës, me shkrim, elektronikisht, audio, video, që është prodhuar gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është hartuar nga vetë autoriteti publik (AP), apo nga subjekte private gjatë procedurave publike, siç është rasti i depozitimit të dokumentacionit për të zhvilluar një projekt publik.
Procedura e kërkimit të informacionit publik sipas ligjit është mjaft e thjeshtë dhe nuk është e nevojshme që personi të ketë njohuri të thelluara juridike. Të drejtën për të kërkuar informacion e ka çdo person, pa pasur nevojë që të provojë se çfarë qëllimi ka, apo cili është interesi i tij për informacionin që po kërkon. Kjo do të thotë se çdo person, i cili është i interesuar për të aksesuar informacionin publik, apo kopje të dokumentit, në format elektronik apo të printuar, ka të drejtë që t`i drejtohet me një kërkesë për informacion autoritetit publik përkatës. Kërkesa për informacion paraqitet në çdo kohë, pavarësisht se kur është prodhuar dokumenti dhe nuk i nënshtrohet afateve të caktuara.
b. Si të dërgojmë një kërkesë për informacion?
Kërkesa mund të bëhet në çdo formë, me formular, me shkresë të shkruar në kompjuter, por edhe me shkresë me dorë dhe mund të përcillet me çdo mjet të përshtatshëm. Formulari i gatshëm gjendet në faqet e disa prej institucioneve publike. Plotësimi i tij nuk është kusht, por thjesht një mjet për të lehtësuar procesin. Kërkesa pavarësisht formës që dërgohet duhet të përmbajë: emrin dhe mbiemrin e kërkuesit, adresën e tij postare ose elektronike; informacionin që kërkohet dhe në çfarë forme kërkohet ky informacion (elektronike, apo e printuar).
Informacioni publik duhet të vihet në dispozicion pa pagesë. Megjithatë, AP ka të drejtë që kur riprodhimi i dokumenteve voluminoze ka një kosto të madhe, të kërkojë vetëm pagesën e shpenzimeve të
riprodhimit të informacionit. Për përcjelljen elektronike të materialeve nuk ka në asnjë rast kosto.
Në shërbim të personave të interesuar janë krijuar disa platforma të cilat lehtësojnë paraqitjen dhe ndjekjen e ecurisë së kërkesës për informim.
c. Si të ankohemi
Ankesa për moskthimin apo refuzimin e informacionit nga autoriteti publik, paraqitet pranë Komisonerit, brenda 30 ditëve nga momenti i refuzimit të përgjigjes, ose nga kalimi i afatit për kthim përgjigje. Ankesa mund të bëhet elektronikisht ose me postë, në mënyrë të thjeshtë dhe të qartë, duke spjeguar situatën konkrete. KDI mund të vendosë pranimin e ankimit dhe detyrimin e autoritetit publik që të verë në dispozicion informacionin, ose rrëzimin e ankimit. Si hallkë e fundit çështja mund të ndiqet edhe pranë Gjykatës Administrative.
Ligji ka parashikuar qartësisht se cilat janë rastet se kur e drejta e informimit mund të kufizohet, duke qenë se kjo nuk është një e drejtë absolute.
Ndër rastet se kur mund të kufizohet përmendim: mundësinë për cenimin e jetës private; sekretin tregtar; të drejtën e autorit; sigurinë kombëtare; një proces auditimi; etj.. Pavarësisht kësaj, informacioni i kërkuar nuk refuzohet, kur interesi publik për këtë informacion është më i lartë. Në mjaft raste autoritetet publike i përdorin kufizimet ligjore, si alibi për të mos bërë publik informacionin e kërkuar. Për shembull, një ndër rastet më tipike është refuzimi i një projekti publik, me argumentin se bërja publike cenon të drejtën autorit të hartuesit të projektit. Në fakt, ky pretendim nuk qëndron, siç është mbajtur qëndrimi nga KDI, apo dhe gjykata, pasi në momentin që autori e ka paraqitur punën e tij për të përfituar një projekt publik të realizuar me para publike, atëherë është interesi i publikut që ka përparësi dhe jo e drejta e autorit.
Kliko këtu për të shkarkuar formularin e ankesës.
Komisioneri ka të drejtë të marrë vendim për dënimin me gjobë të personit përgjegjës pranë Avokati të Popullit, kur ai vepron në kundërshtim me ligjin për të drejtën e informimit. Gjoba është personale dhe nuk shkon në ngarkim të buxhetit të autoritetit.
Ligji për të drejtën e informimit - Rasti i Zall Gjoçaj
Garancitë e ligjit për të drejtën e informimit janë ndër mjetet kryesore që përdoren në ndjekjen e çështjeve strategjike, pasi është e vetmja mundësi për të siguruar informacionin dhe dokumentacionin ligjor, i cili në mjaft raste është përdorur në vijim edhe në gjykatë. Komuniteti i Zall Gjoçaj mori dijeni për planin e heqies se zonës nga parku kombëtar, në bazë të së drejtës për informim, me një indicie rastësore. Gjatë procesit gjyqësor, shoqëria ndërtuese pretendoi se ekzistonte një shkresë në të cilën Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, konfirmonte planin për ta nxjerrë jashtë sipërfaqes së zonave të mbrojtura, zonën ku po ndërtohej HEC-i. Avokatja e banorëve, ju drejtua me një kërkesë për informacion AKZM-së, duke kërkuar një kopje të kësaj shkrese.
AKZM ishte e detyruar ta vinte në dispozicion edhe pse ajo nuk i drejtohej banorëve dhe as avokates. Në vijim të kësaj shkrese, u paraqitën disa kërkesa të tjera për informacion që çuan në identfikimin e problemit të ndryshimit të kufirit të zonës së mbrojtur, si pjesë e procesit të përgjithshëm të ndryshimit të zonave të mbrojtura. Kjo ndihmoi në krijimin e një panorame të qartë, lidhur me procedurat e ndjekura deri në ato momente dhe përputhshmërinë e tyre me dispozitat ligjore. Për t’u përmendur në ndjekjen e këtij rasti ishte përcjellja e kërkesës për informacion tek 41 bashki, në territorin e të cilave ndodhen zona të mbrojtura, duke kërkuar informacion lidhur me dijeninë dhe përfshirjen e tyre në ndryshimin e zonave të mbrojtura. Nga grumbullimi i këtyre informacioneve u kuptua se bashkitë kishin qenë tërësisht të anashkaluara në proces, pasi vetëm tre prej tyre konfirmuan dijeninë.
Në Republikën e Shqipërisë çdokush ka të drejtën e organizimit kolektiv, pa pasur nevojë për t’u regjistruar si një organizatë jofitimprurëse. Kjo do të thotë se një organizim aktivist i një grupi qytetarësh mund të zhvillohet edhe pa u regjistruar në gjykatë si organizatë.
Kohët e fundit ka mjaft grupime të tilla në mbrojtje të kauzave të rëndësishme, sic mund të përmendim atë
mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, apo grupime më të konsoliduara si grupi rinor “ATA”.
Protesta është një mjet i ligjshëm, i cili veçmas, ose i shoqëruar edhe me mjete të tjera, sjell një vëmendje të shtuar të publikut, dhe të autoriteteve shtetërore në çështjen për të cilën aktivistët janë angazhuar. Republika e Shqipërisë e ka të garantuar në Kushtetutë dhe në ligj, parimin e lirisë së organizimit, të zhvillimit të protestave dhe të tubimeve paqësore, me kusht që ato të jenë në përputhje me kufizimet e parashikuara në ligj, pavarësisht kauzës apo qëllimit.
Ligji jep këtë përkufizim për tubimin: “Grumbullim, manifestim, mbledhje dhe parakalim me karakter paqësor dhe pa armë, në të cilin një grup personash shprehin kërkesat dhe pikëpamjet e tyre për probleme për të cilat janë të interesuar, duke përfshirë edhe tubimin urgjent.”
Ligji parashikon shprehimisht se: “Kur grupe njerëzish mblidhen në mënyrë spontane dhe nuk shkelin rendin publik, veprimtaria e tyre nuk quhet tubim”.
Liria e protestës edhe pse thelbësore për të garantuar lirinë e shprehjes nuk është absolute, por kufizohet nga ligji, duke qenë se mund të ndikojë në ushtrimin e lirisë së lëvizjes së qytetarëve të tjerë. Është detyrë e organizuesve dhe pjesëmarrësve më së pari, dhe më tej e forcave të policisë që të kujdesen për ruajtjen e ekuilibrit të duhur midis dy të drejtave
1. Si të çojmë një njoftim për protestë
Çdo protestë duhet të ketë një ose disa organizatorë të cilët marrin përsipër jo vetëm organizimin, por edhe adresimin e problematikave të ndryshme përpara, gjatë dhe pas protestës. Ligji nuk parashikon plotësimin e kushteve specifike apo paisjen me një leje nga autoritetet publike për organizimin e një proteste, por vetëm paraqitjen e një njoftimi me shkrim, jo më shumë se tre ditë para protestës. Njoftimi për organizimin e protestës duhet të përmbajë:
Nëse njoftimi nuk i ka të dhënat e mësipërme, ai kthehet për plotësim. Nëse nga ana e policisë nuk është njoftuar në kohë plotësimi i të dhënave, nuk mund të ngrihen pretendime më vonë për këtë gjë.
Ka dhe raste kur protesta mund të zhvillohet në kushtet e urgjencës, por sërisht duhet të bëhet njoftimi me shkrim, të paktën 3 orë përpara protestës, duke spjeguar dhe arsyet e urgjencës. Akti i njoftimit u shërben dy qëllimeve, nga njëra anë ju shërben pjesëmarrësve në tubim të zhvillojnë qetësisht lirinë e tyre, përmes marrjes së masave lehtësuese nga Policia e Shtetit dhe, nga ana tjetër, ju shërben qytetarëve që nuk marrin pjesë në tubim të ushtrojnë të drejtat dhe liritë e tyre. Përfaqësuesit e medias kanë të drejtë të jenë të pranishëm gjatë tubimit dhe nuk mund të përjashtohen nga askush gjatë zhvillimit të saj, mjaft që të jenë të pajisur me kartën e anëtarësisë së medias.
2. Si të çojmë një njoftim për protestë
Njoftimi i dërgohet shefit të komisariatit të policisë që mbulon zonën ku është planifikuar që të zhvillohet protesta. Pas këtij njoftimi, nuk është i nevoshëm që të pritet një leje, qëndrim apo vendim, pasi detyrimi ligjor i organizatorëve tashmë është përmbushur.
Megjithëse organet e policisë nuk kanë kompetencë që të japin leje për organizimin e protestës, por vetëm kanë detyrë të organizojnë mbarëvajtjen e saj, ligji ju ka dhënë të drejtën që kur ka rrethana të caktuara, me vendim të arsyetuar, ato mund të njoftojnë ndalime apo kufizime të protestës. Disa nga këto raste janë kur protesta përbën një rrezik real për sigurinë kombëtare, sigurinë publike, parandalimin e krimit, mbrojtjen e shëndetit, mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të tjerëve.
Kufizimi është i ligjshëm vetëm kur është masa e vetme që mund të merret për të mos cenuar garancitë e mësipërme. Ligji parashikon edhe rastet se kur një protestë mund të shpërndahet dhe bëhet alë kryesisht për rastet kur ka shkelje të ligjit, që mund të dëmtojnë rendin publik dhe sigurinë e personave ose kur ka një situatë emergjente.
3. Çfarë na garanton ligji
Praktika e viteve të fundit në vendin tonë ka treguar se qëndrimi në praktikë i autoriteteve të policisë kundrejt organizimit të protestave, nuk ka qenë gjithmonë në përputhje me ligjin. Fenomeni më i shpeshtë është trajtimi i njoftimit për organizimin e protestës, si një leje.
Njoftimi nuk shoqërohet me vendimmarrje, ndërsa kërkesa për leje shoqërohet me një vendim që mund të jetë pozitiv, apo negativ, në varësi të vlerësimit të autoritetit përkatës. Ky interpretim i gabuar i dispozitave të ligjit, i kombinuar edhe me parashikimet e nenit 262 të Kodit Penal, ka çuar shpesh herë në marrjen e personave në përgjegjësi penale, për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime të pretenduara si të paligjshme. Konkretisht ky nen parashikonte: “Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”
Në interpretim të kësaj dispozite, mosmarrja e lejes i shndërronte këto lloj tubimesh në të paligjshme dhe i ngarkonte me përgjegjësi penale organizatorët dhe pjesëmarrësit. Duke qenë se ligji nuk parashikonte marrjen e lejes, krijohej një mospërputhje që cenonte të drejtën kushtetuese për organizimin e protestës paqësore. Për këtë arsye Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të datës 04.05.2021, duke e vlerësuar si ekzistonte një mospërputhje e tillë, arriti në përfundimin se togalëshi “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”, në dispozitën e Kodit Penal është i papajtueshëm me nenin 47 të Kushtetutës dhe si i tillë duhet shfuqizuar.
Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë një ndikim pozitiv dhe të zvogëlojë numrin e rasteve të ndalimit të protestave nga ana e autoriteteve të policisë, apo të shoqërimit masiv të pjesëmarrësve në to.
Policia ka detyrimin ligjor që të jetë e pranishme gjatë organizimit të protestës si për të garantuar mbarëvajtjen e saj dhe sigurimin e protestuesve, ashtu edhe të personave të tretë. Ligji garanton të drejtën për organizimin dhe pjesëmarrjen në një protestë paqësore, megjithatë, ndodh që për arsye të keqinterpretimit nga ana e punonjësve të policisë së shtetit të ligjit në këtë fushë, apo për shkak se protesta mund të përshkallëzohet, të ketë ndërhyrje nga ana e forcave të policisë. Pasoja kryesore e kësaj ndërhyrje, është shoqërimi i organizatorëve, apo pjesëmarrësve në protestë, nga ana e policisë. Në këto raste është mjaft e rëndësishme që personi i shoqëruar, përveç ruajtjes së qetësisë dhe mos rezistencës ndaj policisë, të dijë se cilat janë të drejtat e tij dhe çfarë veprimesh duhet të kryhen nga ana e policisë.
Gjatë apo pas zhvillimit të një proteste, policia ka të drejtë të shoqërojë një person në ambientet e komisariatit më të afërt në rastet kur: ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale; për të parandaluar kryerjen e një vepre penale; kur ka dyshime se personi është larguar pas kryerjes së një vepre penale. Në rastin e protestave me pjesëmarrje të konsiderueshme, shpesh herë ndërhyrja e policisë, mund të bëhet edhe kundrejt personave për të cilët nuk verifikohet asnjë prej situatave të mësipërme. Duke pasur parasysh këtë eventualitet, është mjaft e rëndësishme që gjatë pjesëmarrjes në protestë të mbahet me vete karta e identitetit, pasaporta apo çdo dokument tjetër identifikimi, si dhe numri i kontaktit të një avokati, apo një personi të besuar.
Personi ka të drejtë të njoftojë avokatin ose një person të besuar.
Prania e avokatit nuk është e detyrueshme, por njoftimi i avokatit ka rëndësi, pasi ndihmon në praktikë në shkeljen e të drejtave të njeriut nga policia kundrejt personit të shoqëruar, por veçanërisht në rastet kur situata është më e rënduar dhe personi mund të ndalohet për shkak se personi dyshohet për kryerjen e një vepre penale. Nëse policia nuk bën me dije të drejtën për të komunikuar si më sipër, atëherë personi duhet ta kërkojë vetë këtë të drejtë. Personi i shoqëruar nuk trajtohet në të njëjtat kushte me personin e ndaluar ose të arrestuar dhe, në çdo rast, shoqërimi duhet të zgjasë deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 10 orë.
Policia është e detyruar që të informojë menjëherë personin se cilat janë shkaqet që ai është shoqëruar. Policia duhet që të kujdeset që personat të trajtohen me dinjitet dhe të mbahen në ambiente të përshtatshme. Personi i shoqëruar ka të drejtë që të mos bëjë asnjë deklaratë apo të mos i përgjigjet pyetjeve të paraqitura nga ana e punonjësit të policisë.
Punonjësi i policisë, dokumenton në proces-verbal veprimet e kryera me personin e shoqëruar, ku evidentohen: a) gjenealitetet; b) vendbanimi; c) përshkrimi i pamjes së personit; ç) puna që kryen; d) arsyet e shoqërimit; dh) ora, data dhe vendi i shoqërimit; etj..
Procesverbali nënshkruhet në fund të çdo flete nga punonjësi i policisë që ka kryer veprimet dhe personi i shoqëruar. Një kopje e procesverbalit i vihet në dispozicion personit të shoqëruar. Në rast se punonjësi i policisë nuk e përmbush këtë detyrim, personi ka të drejtë që ta
kërkojë procesverbalin e dekarimit.
Mosrespektimi nga efektivi i policisë i detyrimeve të përcaktuara në këtë pikë, përbën shkelje të rëndë të disiplinës në punë. Në një rast të tillë, çdo personi të shoqëruar në ambientet e policisë që mendon se është cenuar, i lind e drejta që t’ju bëj ankim, me shkrim ose me gojë, drejtuesve të policisë, apo edhe institucioneve të tjera shtetërore, si Ministrit të Brendshëm, apo Avokatit të Popullit. Personi në rast të shkeljes së të drejtave të tij ka të drejtë ti drejtohet edhe gjykatës.
Shoqërimi i personit për arsyet e mësipërme në rastet kur nuk ka ndodhur një vepër penale, nuk sjell asnjë pasojë ligjore për personin e shoqëruar, përveç shqetësimit të qëndrimit në komisariat për disa orë. Në mjaft nga protestat paqësore të zhvilluara kohët e fundit, edhe përpara pandemisë, policia e përdor shoqërimin e personave në komisariat dhe kërcënimin për ndjekje penale, si një mjet presioni për të frenuar zhvillimin e protestave. Në rast se policia është njoftuar sipas kushteve të ligjit, pavarësisht kthimit apo jo të përgjigjes prej saj dhe gjatë protestës nuk është kryer asnjë vepër penale, atëherë çdo shoqërim apo ndalim i personave, apo edhe fillimi i hetimeve, apo marrja e tyre në ndjekje penale, është në kundërshtim jo vetëm me dispozitat ligjore, por dhe ato kushtetuese.
This quiz is for logged in users only.
Time’s up
Sheshit është një platformë kursesh online e krijuar nga Citizens Channel me mbështetjen e programit “Media for All” , financuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
© 2021 Designed by Elsa Paja and Created by Giljana Limani. All Rights Reserved.